Boris Johnson ka hartuar një plan 6 pikësh për mposhtjen e Vladimir Putinit, një përpjekje kjo që dëshmon veç të tjerash edhe sesi kryeministri britanik po kërkon që vendi i tij, i shkëputur nga Bashkimi Europian, të zërë një vend qendror në reagimin global ndaj tmerrit të luftës në Ukrainë.
Shefi i ekzekutivit në Londër këmbëngul që e gjithë bota të bashkohet me planin e tij për zmbrapsjen e agresionit rus.
Në këtë plan, Johnson bën thirrje për:
–krijimin e një koalicioni ndërkombëtar humanitar për Ukrainën
– forcimin e mbrojtjes ushtarake të Kievit
– shtrëngimin e darës së sanksioneve mbi Moskën
– përpjekje të koordinuara diplomatike për zbutjen e krizës
– një fushatë të shpejtë forcimi të sigurisë në mbarë zonën euro-atlantike
-të luftohet një të njëjtën kohë normalizimi i asaj që Putini po bën në Ukrainë, mes frikës se teksa koha kalon, tronditja nga veprimet e presidentit rus mund të nisë të zbehet.
Njoftimi i Johnson erdhi në kohën kur zyrtarë të qeverisë ukrainase deklaruan se situata në rajonin e Sumyt dhe në qytetin e Mariupolit, është “në prag të një katastrofe humanitare”.
Aktualisht nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë në dy qytete në rajonin verior të Sumyt, tha këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko.
Gjatë së shtunës, Ukraina dhe Rusia u pajtuan për një armëpushim që synonte largimin e civilëve të iknin nga Mariupoli, por ky armëpushim zgjati më pak se 30 minuta para se të rifillonin bombardimet ruse.