Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, i ka reaguar analistit Shenoll Muharremi, për vizitën e Osmanit te Faton Peci në Mitrovicë.
“Vjosa Osmani shkoi sot në Mitrovicë në një ceremoni të veçantë me urue një kryetar, po nuk ka shku me urue askënd tjetër”, ka shkruar ndër të tjerash Muharremi.
Kupina thotë se kjo është “tërësisht e pavërtetë”.
Ai shton se Osmani ka qenë në Dragash që udhëhiqet nga LDK, në Ferizaj ku kryetari është nga PDK dhe në Gjilan te Alban Hyseni i VV’së.
“I nderuar, Shenoll Muharremi, reagimi juaj ndaj vizitës së Presidentes Osmani në Mitrovicë, nuk është as kritikë, e as shqetësim kushtetues, por konstatim i paqëndrueshëm. Të thuash se Presidentja “nuk ka shkuar ta uroj askënd tjetër”, është tërësisht e pavëretë. Si një përcjellës i zhvillimeve politike, nuk do të ishte dashur t’ju ikin zhvillimet e fundit nga aktiviteti i Presidentes nëpër komuna. Faktet janë kokëforta dhe i rrëzojnë lehtë pretendimet. Presidentja ka qenë edhe në Dragash, i udhëhequr nga LDK-ja, ka qenë edhe në Ferizaj, i udhëhequr nga PDK-ja dhe ka qenë në Gjilan, i udhëhequr nga Vetëvendosje.”
Ndërsa sa i përket aludimeve se Osmani do të kthehet në politikë, Kupina ka thënë se janë spekulime pa asnjë provë.
“Pra, narrativa se Presidentja paska “zgjedhur njërin e ka injoruar të tjerët”, është e pavërtetë, tendencioze dhe e ndërtuar për konsum ditor, jo për interes publik. Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje të paanshmërisë kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese. Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale. Sa i përket pretendimit për “hise në fitore”, “ndarje partish”, apo “pozicionim për kthim në politikë”, këto janë spekulime, pa asnjë provë, të cilat synojnë denigrimin e Presidentes. Edhe pretendimet për procesin e mandatimit janë të konsumuara, të sqaruara dhe të bazuara në interpretime selektive, jo në shkelje kushtetuese. Vendimet janë marrë brenda kompetencave kushtetuese, dhe dështimet politike nuk mund t’ia faturoni Presidentes. Në fund, problemi nuk është Presidentja. Problemi është frika nga një figurë që vepron mbi parti, mbi interesa të ngushta dhe mbi pazare politike.”






