Në një reagim në rrjetin social “X”, Nuhiu ka theksuar se pretendimet e Martens përbëjnë shpifje, fyerje dhe përhapje të dezinformatave, të cilat sipas tij, janë të dënueshme sipas legjislacionit gjerman.
“Shpifja dhe përgojimi, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e rreme të dukshme nga Michael Martens (i njohur edhe si Andric1961) i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman. Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformimit”, ka shkruar Nuhiu, raporton rtk.
Ai tutje ka thënë se presidentja Osmani po konsultohet me avokatë në Gjermani, me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore për të mbrojtur integritetin e institucionit dhe vendit që ajo drejton.
Në numrin e sotëm, gazeta gjermane ka botuar një artikull analitik të gazetarit Martens, e ku thuhej se presidentja Osmani po përpiqet të sigurojë një mandat të dytë, duke u prezantuar si “kandidatja e Trumpit”.






