Kosova u pozicionua në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë në testin e PISA-s për vitin 2022. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ia la fajin pandemisë dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverisë.
Arsyetimin e ministres Nagavci e quajti ‘qesharak’ dhe të ‘papërgjegjshëm’, Rexhep Gjergji, këshilltar i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Arsyetimi i Ministres se Arsimit….. për rezultatin e dobët në PISA është qesharak dhe i papërgjegjshëm!”, ka shkruar Gjergji në Facebook.
Kujtojmë se, viti 2022 është hera e tretë që Kosova iu është nënshtruar testit për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve, i njohur si PISA.
PISA është testi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim, i cili bën vlerësimin e njohurive të nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.
Rezultatet e testit të mbajtur në vitin 2015 ishin publikuar në vitin 2016, dhe Kosova ishte radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72-vendeve që kishin marrë pjesë në test.