Këshiiltari politik i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj ka përsëritur se qëndrimi i Qeverisë është ndalja e sulmeve në veri që do të pasonte me tërheqje të një numri të policisë.
“Ne jemi shumë të angazhuar dhe po punojmë me mirëbesim që të depërshkallëzohet situata. Sa më shumë takime dhe dialog të intensifikum, por është evidente që së pari duhet të ndalen sulmet në mënyrë që prezenca dhe analiza e sigurisë të jetë e tillë që të lejojë prezencë më të pakët të policisë. Mirëpo në anën tjetër duhet të ketë sundim të ligjit”, ka thënë Zulfaj.
Duke folur për zgjedhjet e reja ai tha se nuk ka logjikë që të ketë zgjedhje të reja në kushte të njëjta – me frikësim, presion e shantazh.
“Nuk ka logjikë të kemi zgjedhje në kushtet e njëjta me frikësim, presion e shantazh dhe me ata element kriminalë që i kemi parë në veri dhe të cilët po dihen me emër e mbiemër. Duhet të ketë veprim të organeve të sundimit të ligjit që atje të funksionojë drejtësia. Vetëm kështu do të krijohen kushtet, ashtu që të sigurohen që të ketë pjesëmarrje”.
Duke folur për kërkesat e amerikanëve, Zulfaj tha se Qeveria mbështet kryetarët që të punojnë vetëm nga objektet komunale.
“Unë jam shumë i vetdijshëm se cilat janë kërkesat. Kemi pasë një proces në lidhje me punës se ku duhet të punojnë kryetarët, kemi pasur një proces zgjedhor të njohur nga komuniteti ndërkombëtar.Objektet janë aset i Republikës. Ata e kanë mbështetjen e Qeverisë për të punu nga objektet komunale, aty ku është vendi i kryetarit dhe nuk mundet me u dorëzu Republika para bandave kriminale apo kërkesave të Vuçiqit”.
Tutje ai shtoi se Kosova ka marrëdhënie të mira me ShBA-në dhe i ka plotësuar kushtet që të cilësohet vend demokratik.
“Kosova është vendi më demokratik në rajon. Ajo çka ShBA i kanë konsideru si kërcënim ndërkombëtar e që është psh korrupsioni e siguria energjetike, në të dyjat ne jemi linjëzuar plotësisht. Po luftojmë korrupsionin, po krijojmë burime të energjisë alternative. E kemi sanksionuar Rusinë, kemi pranuar refugjatët afganë, kemi marrë pjesë deri tash në ‘Defender’. Marrëdhëniet tona me Amerikën në kuptimin bilateral janë shumë të mira. Në lidhje me Serbinë situate është pak më ndryshe. Ajo nuk është vend paqësor por armiqësor në raport me Kosovën. Kërkesat e veprimet i ka armiqësore e shpeshherë djallëzore”, tha Zulfaj në Këndin e Debatit në Tëvë 1.