Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti për Çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, Azem Bici, ka reaguar pas deklaratës së djeshme të kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku i cili ka thënë se më parë do ta vriste kryeministrin, sesa ta lëshonte Kosovën.
Bici ka thënë se kjo është hera e dytë brenda një muaji, që kryeministri “po kërcënohet publikisht” dhe në të dyja rastet, sipas tij, “kërcënimet janë nga njerëz që flasin në emër të veteranëve të luftës”.
Sipas Bicit, Klinaku në vend që të reflektojë, “po e përsërit gabimin e njëjtë”.
“Në fund të muajit korrik, ish-deputeti i AAK-së dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili duke folur për veteranët dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë, kërcënonte institucionet dhe kryeministrin ndër të tjerash kishte thënë se “kur vijnë ata, nuk vijnë për me i tha puna e mbarë”. Ndërkaq dje, u.d. i Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku fillimisht tha se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, e më pas, në vend që të reflektojë, e përsëritë kërcënimin e njëjtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje, ai është shprehur se kjo gjuhë është e papranueshme për këdo, dhe në të njëjtën kohë siç thotë ai, e papërgjegjshme që dikë që përfaqëson veteranët.
“Kjo gjuhë është e papranueshme për këdo. Veçanërisht e papërgjegjshme, e padinjitetshme, dhe jokombëtare, për dikë që flet ose përfaqëson veteranët e luftës. Kryeministri i Republikës është kryeministër i të gjithëve. Është i Republikës për të cilën kemi luftuar. Nuk duhet të pajtohemi për asnjë moment, as si shoqëri e as si veteranë të luftës, që me aq lehtësi të flitet për sulme, kërcënime dhe vrasje të kryeministrit të vendit tonë. Nga gjuha e tilla duhet të distancohen të gjithë. Ajo nuk e përfaqëson luftëtarin e UÇK-së e as veteranin e luftës. Luftëtari i UÇK-së ka mbrojtur dhe luftuar për vendin. Ai nuk kërcënon, nuk sulmon e as nuk vret. Gjeneratat e reja nuk duhet ta krijojnë përshtypjen se kush ishte UÇK-ja përmes gjuhës dhe deklaratave të këtilla iracionale”, ka shtuar Bici.
Klinaku ka ndarë dje në rrjetin social në Facebook një bisedë që ka pasur me një votues të Kurtit, ku ndër të tjerash ka thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.
Për këtë deklaratë, ai është intervistuar sot nga Policia, teksa pas intervistimit, Klinaku ka bërë me dije se kjo deklaratë e tij është nxjerrë nga konteksti.
Ndërsa theksoi se nuk e ka në plan të japë dorëheqje, pavarësisht kërkesave që po i bëhen.