Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ia ka rrëzuar MPJD-së konkursin përmes të cilit vitin e kaluar kishte pranuar 21 diplomatë të rinj.
Kjo pasi e ka pranuar si të bazuar ankesën e parashtruar nga Florentina Haliti-Mehmeti.
Në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale thuhet se konkursi në fjalë është shpallur në mënyrë të kundërligjshme.
Në piken dy të vendimit thuhet se anulohet në tërësi konkursi për pranimin e zyrtarëve për pozitën Zyrtar i Shërbimit të Jashtëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Kurse, pika tre e vendimit e obligon Sekretarin e Përgjithshëm dhe Divizioni i Burimeve Njerëzore të MPJD-së që të ndërmarrin të gjithë veprimet e nevojshme administrative në kuptim të zbatimit të këtij vendimi.

Në fund të vitit të kaluar, MPJD-ja kishte shpallur konkurs për pranimin e 21 diplomatëve të rinj, kurse më 10 janar të këtij viti e kishte publikuar listën e pranimit të 21 kandidatëve.
Në arsyetimin e vendit për anulimin e këtij konkursi, KPMShCK-ja ka treguar pse ka marrë vendim për anulimin e këtij konkursi.
Aty bëhet e ditur se kriteret e përgjithshme formale për fushën e arsimit janë përcaktuar dhe vendosur në kundërshtim me Rregulloren për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.
“Bazuar në kuadrin ligjor si më sipër, Kolegji i Këshillit konstaton se lidhur me pozitën “Zyrtar i Shërbimit të Jashtëm, klasa profesional 2, kriteret e përgjithshme formale referuar fushës së arsimit janë përcaktuar dhe vendosur në kundërshtim me Rregulloren (QRK) Nr. 06/2024 Për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil, ndërlidhur me Shtojcën Nr. 2: (Grupet Tip të administrimit të përgjithshëm dhe posaçëm) si dhe në kundërshtim të plotë më Katalogun Vendeve të Punës për Shërbimin Civil,(i miratuar më datë 23.10.2024 sipas Vendimit Nr.08/226 të Qeverisë së Republikës së Kosovës), për faktin se pozita zyrtar i shërbimet të jashtëm sipas natyrës së pozitës grupohet të grupi i veçantë “Shërbimit të Jashtëm”, ku si fusha të arsimit janë përcaktuara: Shkenca Politike, Juridik, Marrëdhënie ndërkombëtare, Politika të sigurisë, studime evropiane, Ekonomi, Juridik dhe Diplomaci (ekonomike, publike dhe kulturore) Administratë publike, ndërsa, organi i punësimit me rastin e shpalljes së konkursit të kontestuar përveç fushave të përcaktuar më aktet si me sipër, ka vendosur edhe fusha shtesë të arsimit si Fakultetin e Filologjisë dhe Fakultetin Filozofik”, është thënë në arsyetimin e vendimit.
Më tej, këshilli ka gjetur edhe një shkelje tjetër të MPJD-së në shpalljen e këtij konkursi.
Sipas KMShCK-së, MPJD-ja shpalljen e këtij konkursi e kishte bërë mbi bazën e një vendimit të më hershem.
“Nisur nga fakti së procedura e pranimit më numër reference RN00015621, ishte shpall si grup i veçantë ad hoc, Kolegji i Këshillit nga shqyrtimi i provave të administruara ka gjetur së organi i punësimit në këtë rast MPJD-ja shpalljen e këtij konkursi, e kishte bërë mbi bazën e Vendimit nr.1472/2024, të datës 21.08.2024, të Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendimi ky që ishte nxjerrë dhe rrjedhimisht ishte aplikuar për procedurën e pranimit me numër reference RN00014985, të shpallur nga MPJD më datë 03.09.2024, ku dhe në pikën dy të dispozitivit të këtij vendimi thuhet se: “Grupi i veçantë ad hoc për shërbim të jashtëm sipas pikës 1 të këtij vendimi, është i përkohshëm dhe mund të shërbej vetëm në një procedurë rekrutimi për atë grup” pra, ky vendim ka qenë i vlefshëm-aplikueshëm vetëm për procedurën e pranimit më numër të referencës RN00014985, dhe së ky akt nuk derivon pasoja juridike për procedura tjera të rekrutimit, e mbi këta fakt nuk ka mundur të aplikohet edhe për procedurën e kontestuar”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Duke u bazuar në shkeljen që MPJD-ja ka bërë në këtë konkurs, këshilli ka kërkuar anulimin në tërësi të këtij konkursi.
“Kolegji në mbështetje të nenit 18, paragrafi 1, nën paragrafi 1.2 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës si dhe nenit 132 paragrafi 4 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, e me qëllim të kthimit të ligjshmërisë, vendosi për aprovimin e ankesës si të bazuar, duke anuluar në tërësi procedurën e pranimit të shpallura sipas konkursit me numër reference RN00015621. Në vështrim të detyrimit ligjor lidhur me parimin e informimit dhe ndihmës aktive (neni 11 iLigjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative) Kolegji sjell në vëmendje faktin njësia përgjegjëse, në ketë rast Njësia e Burimeve Njerëzore në MPJD më rastin e ri shpalljes së konkursit për pozitën Zyrtar i Shërbimit të Jashtëm, duhet të siguroj që kriteret e përgjithshme formale të jenë në përputhshmëri më Rregulloren e aplikueshme për klasifikimin e pozitave të nëpunësve civilë dhe Katalogun e Vendeve të Punës në Shërbim Civil”, thuhet në vendim.

Disa nga njerëzit e pranuar në këtë konkurs ishin identifikuar si të afërt me VV-në.
Në listën e pranimit figuronte Atdhe Prelvukaj, i cili më herët ka qenë këshilltar politik i zëvendësministres Liza Gashi dhe më pas i kryediplomatës Donika Gërvalla.

Konkursi për pranimin e 21 diplomatëve të rinj ishte shpallur më 28 tetor të vitit të kaluar. Në këtë konkurs kishin aplikuar 157 kandidatë, 60 nga ta i kishin plotësuar kushtet e parapara në konkurs dhe ishin përfshirë në fazën e verifikimit