Në një raport mbi strategjinë e re amerikane në Ballkanin Perëndimor që vlerëson gjendjen aktuale në rajon është kërkuar angazhim më i madh nga SHBA-të.
Këshilli i Atlantikut, një ndër forumet kryesore për çështjet ndërkombëtare, ka publikuar një raport mbi strategjinë e re amerikane dhe evropiane, i cili vlerëson gjendjen aktuale dhe propozon hapa konkretë për angazhimin e shtuar të Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor.
Në pjesën kushtuar dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin aktual të BE-së, në raport është thënë se procesi ka nevojë për një qasje të re nën administratat e ardhshme në SHBA dhe BE. Gjithashtu, në raport është veçuar roli i SHBA-së në lehtësimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e përfundimtare.
“SHBA-ja dhe BE duhet të udhëheqin bashkërisht dialogun, duke përdorur peshën dhe ekspertizën e tyre të kombinuar diplomatike. Dialogu duhet t’i japë përparësi hapave praktikë drejt normalizimit të marrëdhënieve, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, lirinë e lëvizjes dhe njohjen reciproke”, thuhet në këtë raport.
Në raportin e Këshillit të Atlantikut përmenden mes tjerash edhe stimujt ekonomikë, të cilët mund të përdoren për të inkurajuar përparimin në dialog, por që duhet të kushtëzohen. Gjithashtu, në raport janë përmendur edhe çështjet kryesore në këtë proceces, veçanërisht të drejtat e e pakicave dhe mbrojtja e integritetit territorial.
“Plani i Rritjes i BE-së mund të jetë një mekanizëm vendimtar për të nxitur përparimin dhe për të dekurajuar ngërçin, ose më keq – bashkëpunimin me aktorët keqdashës. E çështjet themelore të konfliktit, sikurse të drejtat e pakicave dhe integriteti territorial, duhet të adresohen për të arritur një paqe të qëndrueshme”, thuhet më tej.
Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënive në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, akoma nuk është zbatuar.
Kjo marrëveshje nuk e përfshin njohjen reciproke mes dy shteteve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore. Ndryshe, liderët e Kosovës dhe Serbisë vazhdimisht fajësojnë njëri-tjetrin për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.