Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet më 23 shtator për të votuar shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg prej më shumë se gjashtë muajsh, pas arrestimit nga SPAK më 10 shkurt.
Këshilltarët socialistë kanë nisur procedurat duke iu referuar nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, që parashikon shkarkimin e kryebashkiakut në rast mosparaqitjeje në detyrë për tre muaj rresht. Për shkarkimin nevojiten 31 vota nga 61 anëtarë, numra që socialistët i kanë të siguruara.
Pas vendimit të Këshillit, fjala e fundit i takon qeverisë, me firmën e kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, Veliaj ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, çka do të pezullonte procesin dhe zgjedhjet e reja derisa të ketë një vendim përfundimtar.