Bashkim Ramosaj, kryetar aktual i Deçanit dhe njëherësh kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për zgjedhjet e tetorit për të parin e komunës, në emisionin Debat Plus ka folur rreth moskonstituimit të Kuvendit as sot, ku Hekuran Murati si kandidat i Vetëvendosjes nuk mori votat e mjaftueshme për t’u bërë kryekuvendar.
Ai ka thënë se nuk e ka imagjinuar ndonjëherë që vendi do të vinte në një situatë të tillë, pra pa konstituim të institucioneve.
Ramosaj ka theksuar se ka disa vlera që do të duhej të ishin të pacenueshme, duke iu referuar deklarimeve të Hekuran Muratit dhe Donika Gërvallës për UÇK-në dhe pjesëtarët e saj.
“Kushdo që e ka marrë të drejtën, në çfarëdo rrethane, në çfarëdo kohe, me i cenu këto vlera cilado qofshin ato – vlerën më të madhe që e ka kombi ynë, që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës – së paku do të duhej të kërkonte falje para se të hynte për të marrë një mandat ose një post”.
“Nuk ka rëndësi kush e ka shkruar faqen e parë të kësaj vlere apo faqen e fundit. E rëndësishme është që ajo iu ka dedikuar popullit, këtij vendi. Brenda këtij kuadri, nuk mundesh sot me akuzuar dikë se kush ka qenë më përpara, apo siç u dëgjuan deklarata ‘duke pi qumësht’. Nuk mundesh në asnjë rrethanë të ofendosh një vlerë që e ka krijuar dikush para teje, sepse kjo nuk është personale, nuk është politike. Është një vlerë që iu ka dedikuar shtetit dhe bëmjes së shtetit, dhe si e tillë do të duhej të trajtohej dhe të ishte e pacenueshme nga cilido autoritet, e sidomos nga autoritetet që kanë mandate publike, qoftë në nivel lokal, e veçanërisht në nivel qendror. Përndryshe, ata mund të mbjellin urrejtje edhe në diskursin publik, i cili, me thënë të drejtën, po na pengon të gjithëve”, ka thënë ai.