Udhëheqësi i Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, ka bërë thirrje për më shumë solidaritet evropian në akomodimin e refugjatëve ukrainas.
“Nëse më shumë ukrainas detyrohen të ikin gjatë dimrit për shkak të bombardimeve ruse dhe sulmeve, atëherë Evropa Perëndimore duhet të marrë më shumë përgjegjësi”, tha Weber për gazetën gjermane Bild am Sonntag .
Ishte një “sfidë e paprecedentë” që duhej përballur me “solidaritet”, u citua të thoshte politikani gjerman.
Sipas OKB-së, rreth 7.9 milionë njerëz nga Ukraina kanë kërkuar deri më tani mbrojtje jashtë vendit për shkak të luftës që filloi më 24 shkurt.
Nga këta, pak më shumë se 1 milion janë regjistruar në Gjermani, sipas Ministrisë së Brendshme të këtij shteti. Në Francë janë regjistruar rreth 119,000, në Itali rreth 173,000 dhe Spanjë rreth 154,000 refugjatë, raporton DPA.
Polonia më tej në lindje ka strehuar shumicën, me më shumë se 1.5 milion ukrainas.
Komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson i tha të njëjtës gazetë se “shtetet anëtare që kanë ende kapacitete po rrisin qartë përpjekjet e tyre për të ndihmuar vendet anëtare që janë në limitet e strehimit”.
Sulmet ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës kanë sjellë frikë serioze për një dimër pa ngrohje ose energji elektrike të duhur. /REL