Reagime të shumë ka pasur që dje kur ministra e punëve të jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i tha BE-së se është “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.
Ajo mori kritika të shumta lidhur me këtë deklaratë ndaj BE-së.
Lidhur me këtë, analisti Gazmir Raci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se diplomacia kosovare duhet të ketë kujdes së si sillet e vepron me partnerët e Kosovës, pasi ne kemi synim anëtarësimin në BE e NATO.
“Unë mendoj që diplomacia kosovare duhet të ketë kujdes se si sillet dhe si veprohet sidomos me partnerët strategjik të Republikës së Kosovës. Për ne është me interes strategjik anëtarësimi në NATO dhe BE sepse nuk kemi alternativë të dytë”, thotë ai.
Sipas Racit, politika e jashtme dhe siguria e Kosovës vazhdojnë të jenë krah perëndimit dhe se ekzistenca jonë në arenën ndërkombëtare varet shumë edhe nga kjo miqësi me perëndimin.
“Politika e jashtme dhe siguria e Kosovës vazhdojnë të jenë krah perëndimit në betejat globale ndaj rreziqeve me të cilat përballet sot liria dhe demokracia. Ishim dhe jemi krah perëndimit në luftën e Ukrainës, u gjendem pranë refugjatëve afganë e gazetarëve ukrainas, vendosëm sanksionet e duhura karshi Federatës Ruse, etj. Diplomacia kosovare nuk duhet së ndaluri asnjë sekondë në avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ekzistenca jonë në arenën ndërkombëtare varet shumë edhe nga kjo miqësi me perëndimin”, deklaron analisti Gazmir Raci për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti tjetër, Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se gjuha e Gërvallës është mendësinë e epokës së Revolucionit kulturor kinez fabrikon veç armiq dhe miqtë i braktisë përgjithmonë.
“Kryediplomatja e Kosovës znj.Gërvalla përdori karshi Perëndimit fjalor “diplomatik” kinez, thënë ndryshe kjo mendësi e epokës së Revolucionit kulturor kinez fabrikon veç armiq dhe miqtë i braktisë përgjithmonë, po ashtu, e bën Kosovën një vend totalisht jo adapt në të ardhmen saj, të proklamuar deri dje evropiane”, thotë ai.
Sipas Sadikut, shkarkimi i Gërvallës është dashur të bëhet dje nga Kurti e Osmani.
“Shkarkimi i saj nga MPJ e Kosovës është dashtë të bëhet dje, dhe në kohë më parë nga znj.Osmani dhe z.Kurti, por, Guxo si duket nuk ka kuadro tjerë për këtë, nëse nuk ka kuadro më të mirë se znj.Gërvalla, të merret dikush nga shoqëria civile e të vendoset në krye të Diplomacisë Kosovare, sepse kjo e fundit po sjell dëme të pa riparueshme Kosovës në arenën ndërkombëtare”, deklaron analisti për Gazeta Blic.
Ai sqaron edhe fjalën “tigër letre”.
““Tigër letre” është një frazë kineze zhǐlǎohǔ (kineze e thjeshtuet 纸老虎). Termi i referohet diçkaje ose dikujt që pretendon ose duket se është i fuqishëm ose kërcënues, por në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë me u bë ballë sfidave, me një fjalë është in potent”.