Kur të gjithë kërkuan shkarkimin e tij, ministrja Donika Gërvalla i dha mbështetje, ndërsa tash po ndodhë e kundërta.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i përfolur për përfshirje në një skandal financiar, i ka dalë në mbrojtje kryediplomates Gërvalla, tani kur po kërkohet shkarkimi i saj.
Shkak për këto kërkesa është bërë paraqitja e djeshme e Gërvallës në forumin e Dubrovnikut, ku tha se BE-ja pa SHBA-në dhe NATO-n do të ishte “tigër prej letre”.
Kjo deklaratë shkaktoi mospajtime me emisarin amerikan.
Por duke shpërndarë një shkrim në gjuhën kroate ambasadori Martin Berishaj i ka cilësuar trillime në gjuhën shqipe raportimet për këtë përplasje, ani pse deklarata e Gërvallës është transmetuar drejtpërdrejt nga organizatori i forumit.
“Tigri prej letre”, siç është cilësuar Unioni Evropian, sipas ish-diplomatëve të Kosovës, është projekt i suksesshëm e shumë i rëndësishëm për vendin tonë.
“Një deklarim i tillë i ministres është i pavend, dhe Gërvalla duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme kur vlerëson fuqinë reale të Bashkimit Evropian. Deklarimi i tillë mund të dëmtojë reputacionin e Kosovës para syve të qytetarëve evropianë dhe ky deklarim i shkon pesë vendeve mos-njohëse të BE-së”, ka theksuar Besnik Hoti, Ish-zëvendësi i Ministri i Jashtëm.
Qëndrime të përafërta me ish-zëvendësministrin e Jashtëm ka edhe profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu.
Ai thotë se ministres Gërvalla nuk i takon të japë këto deklarata, andaj sipas tij, ajo duhet të largohet nga pozita e kryediplomates.
“Sigurisht, çdo kryeministër normal do ta shkarkonte një ministre pas një skandali të tillë. Dhe jo vetëm pas këtij skandali sigurisht sepse ky nuk është skandali i parë, janë disa skandale të cilët i ka shkaktuar Gërvalla. Thjesht nga një edukim që ka marrë në shkollat e Shqipërisë të cilat janë në frymën e shokut Enver Hoxha”, ka shtuar Nexhmedin Spahiu, Profesor.
Skandaloze dhe jo diplomatike, deklarata e Gërvallës është cilësuar edhe nga opozita. Gjatë ditës përmes komunikatave e postimeve në rrjete sociale, përfaqësues të opozitës kanë kërkuar shkarkimin e ministres.