6.7 C
New York
Thursday, November 14, 2024

Buy now

Kërkohet shkarkimi i Bordit të KPM-së, arsyeja kthimi i kanaleve “Arena” e bllokimi i fjalës së Kurtit në KS të OKB-së

- Advertisement -

Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave për kthimin e kanaleve serbe “Arena” në operatorët kabllorë, raporton Ekonomia Online.

KPM-ja pak ditë më parë e shfuqizoi vendimin e saj  të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku tha se e mbështet kërkesën për shkarkimin e Bordit të KPM-së për shkak të rikthimit të kanaleve serbe “Arena” në operatorët kabllorë.

“Andaj, është ngritur një shqetësim i madh i qytetarëve pas atij vendimi. Nuk mendoj që ka qenë diçka që s’është për t’u diskutuar. Është shumë për t’u diskutuar. E keni pasur ju një vendim të kaluar, por kaq shpejt e ndryshuar atë vendim. Aq më tepër kur ky vendim është atakuar në Gjykatën Komerciale dhe dy shkallë të kësaj gjykate e vërtetojnë atë vendim që ju e keni marrë”, tha Isaku.

“Po ashtu unë e pashë një lajm që këtë vendim e ka mbështetur Telekom Serbia. Qysh pra një vendim që e ka marrë KPM-ja e jonë duartrokitet nga Telekom Serbia”. A e kuptoni çka ka ndodhur në Banjskë dhe çka e ndryshoi atë ngjarje kur dihet botërisht se ka qenë sulm terrorist ndaj shtetit tonë, i financuar nga Serbia, kur kemi një hero të vrarë të Kosovës çka kemi me i thanë na familjes së Afrim Bunjakut pas këtij vendimi?”, tha deputeti.

Duke folur në mbledhje, Isaku përmendi edhe ndaljen e rrjetit nga kompania IPKO në momentin kur po bëhej gati të mbante fjalim kryeministri Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të enjten në mbrëmje.

“Ju e patë vet çka ndodhi dje. Unë vet jam çu e kam incizu. Duke fol kryeministri i vendit në Këshillin e Sigurimit, doli IPKO e bllokoi. U dashtë me hi në kompjuter me leshu se na i ndali qasjen kur fliste kryeministri i Kosovës. Foli Vuçiqi u transmetu, filloi kryeministri i Kosovës e ndalën rrjetin. Edhe Serbia i kish ndal fjalimet e Kurtit”, u shpreh ai.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur presion publik, kërkesën e mazhorancës për shkarkim të Bordit të KPM-së.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, tha se ka pasur kërkesa nga qytetarët që të lejohen programet sportive serbe “Arena sport” – që transmetoheshin nga disa operatorë kabllorë në Kosovë.

Mehmeti ka theksuar se janë garantuar nga rrjeti televiziv serb se më nuk do të shfaqen përmbajtje kërcënuese për Republikën e Kosovës.

“Më 6 shkurt kemi pasur mbledhje të Komisionit me shumë pika dhe janë marrë shumë vendime. Më 7 shkurt na ka ardhur një ftesë që thotë se ftohen anëtarët të marrin pjesë në dëgjimin para komisionit dhe sot jemi para jush. Sa i përket shfuqizimit të vendimi tonë për pezullim të kanaleve të Arena Sport, përgjigja është se jemi bazuar në faktin se kanë pushuar rrethanat të cilat na kanë determinuar marrjen e një vendimi të tillë. E dyta, kemi marrë garancion nga operatorët dhe kanalet e Arena Sport se përmbajtjet e tilla nuk do të përsëriten më kurrë. Dhe e treta, kemi pasur parasysh interesin e përdoruesve për të pasur qasje në ngjarje sportive që i ofrojnë këto kanale”, tha Mehmeti.

Mehmeti ka deklaruar se ia kanë dhënë shansin e fundit “Arenës” dhe se kjo e fundit e ka pranuar kushtin, duke e paralajmëruar se “ripërsëritja e një mesazhi politik në kanalet sportive Arena do të rezultojë në mbylljen permanente të këtyre kanaleve në Republikën e Kosovës”.

“Vendimmarrja jonë është e bazuar në tri kushte, e para kërkimfalje mbi atë çfarë ka transmetuar dhe për informacionin tuaj ai spot televiziv i cili është ndaluar nga ne jo nga ju, nuk ka qenë në transmetim as 24 orë sepse menjëherë kemi intervenuar. Pra, është bërë kërkimfalja. Janë bërë garanci edhe nga prodhuesi edhe nga shpërndarësit se do të krijojnë ekipe që do ta shqyrtojnë çfarëdo kontenti që transmetohet në Kosovë dhe kanë dhënë siguri se do të respektohen në plotni rregulloret e KPM-së”, ka theksuar ai

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit