Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur këtë të enjte në një takim të rregullt ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, me të cilin në “fokus” të bisedimeve e pati miratimin e Programit të Shitjeve Ushtarake nga Departamenti amerikan i Shtetit. Kjo në dritën e dorëzimit të kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemit raketor të famshëm “Javelin”.
Njoftimi i Presidencës së Kosovës:
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Ambasadorin Hovenier
Presidentja e Republikës së Kosovë, Vjosa Osmani, priti sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe ato në rrafshin e bashkëpunimit bilateral. Në fokus të veçantë gjatë këtij takimi ishte miratimi i Programit të Shitjeve Ushtarake nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve. Me këtë rast, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe vlerësoi lartë punën e institucioneve në të dyja anët.
Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë çështjesh të tjera të interesit të përbashkët dhe rikonfirmuan nevojën dhe gatishmërinë e bashkëpunimit dhe bashkërëndimit të vazhdueshëm me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.