Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kreut të VV-së, Albin Kurti për takim nesër, për të diskutuar lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Krasniqi përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka kërkuar nga Kurti që të gjej një kandidat të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve.
“Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”.
Ndërsa, Krasniqi thekson se për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar.
“Natyrisht, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë”, potencon Krasniqi.
Theksojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
Ata kanë deklaruar se zgjedhja e Kryetarit të Parlamentit është çështje politike, por nuk duan të përfshihen në ndonjë marrëveshje, ndërsa për postin e nënkryetarit që u takon, nuk negociojnë, pasi e konsiderojnë të drejtë legjitime të subjektit të tyre.
Kurti ka ftuar takimin me dy liderët për të enjten në orën 08:30. Ndërkohë, mbledhja e nëntë e seancës konstituive pritet të fillojë në ora 10:00.