Më 12 qershor të këtij viti, një kërkesë shkoi në adresën e Qeverisë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. E njëjta, kishte shkruar edhe në Ministrinë e Drejtësisë, për Albulena Haxhiun.
Kërkesa ishte nga Fondacioni i Hashim Thaçit. Aty, kërkohej përkrahje financiare për ish-drejtorin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili tash e pesë vjet po përballet me akuzat nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Fondacioni i Thaçit në këtë letër ngre alarmin për vështirësitë financiare me të cilat po përballen, dhe rrezikun që avokati më i rëndësishëm, Luka Misetiq, të largohet, si rezultat i mospagesave.
Përveç si më sipër, duke marrë për bazë edhe natyrën e akuzave me të cilat përballen ish-krerët e UÇK-së, dhe pa paragjykuar procesin gjyqësor i cili është duke u zhvilluar aktualisht, përtej çdo dyshimi, mund të konstatohet lehtësisht se mbështetja financiare e mbrojtjes juridike të tyre, nuk është thjeshtë e karakterit personal, por mbi të gjitha, betejë juridike në të cilën është duke u mbrojtur, legjitimiteti i luftës heroike e çlirimtare të UÇK-së”, thuhet në letër, raporton Nacionale.
Megjithatë, kërkesat e tilla, kishin qenë të lejuara me Udhëzimin Administrativ që kishte qenë në fuqi deri në fillim të vitit 2024.
Aty, në nenin 11 thuhet se në raste të veçanta, lejohen kërkesa me buxhet shtesë.
Në raste të veçanta, kur për shkaqe objektive, kërkesa e paraqitur nga mbrojtësi i angazhuar e tejkalon shumën e përcaktuar në marrëveshje, Njësia i propozon Komisionit, shqyrtimin e saj. Propozimi përmban arsyetimin me shkrim”, thuhej në Udhëzimin e kaluar.

Por, Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Albulena Haxhiu e kishte ndryshuar Udhëzimin Administrativ. Dhe me Udhëzimin e ri, ishte fshirë neni 11, që lejonte kërkesat për buxhet shtesë kur është e nevojshme.

Edhe me udhëzimin e kaluar, edhe me të riun, pagesat bëhen bazuar në kompleksitetin e rastit. Në nivelin 4 të kompleksitetit sa është rasti i krerëve të UÇK-së, parashiheshin 120 mijë euro në muaj për mbrojtje.
Me Udhëzimin e ri, pati edhe një ‘hile’ speciale. MD-ja e drejtuar nga Haxhiu e shtoi fjalinë “deri në 120 mijë euro”. Gjithashtu, u ulën tarifat për avokatët në rastet e pengimit të drejtësisë.
Sot Ministria e Drejtësisë, edhe një herë, publikoi shpenzimet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, Në komunikatë, megjihatë, nuk u tha asnjë fjalë as për kërkesën e ekipit të Thaçit, e as për Udhëzimin që e kishin ndryshuar.
“Nga fillimi i procesit në total janë paguar 32,944,287.77€ (tridhjetë e dy milion e nëntëqind e dyzet e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë euro e shtatëdhjetë e shtatë cent). Nga kjo shumë, për mbrojtjen e z. Hashim Thaçi janë shpenzuar total: 5,353,301.02 € (pesë milion e treqind e pesëdhjetë e tre mijë e treqind e një euro e 2 cent). Pagesat janë realizuar në mënyrë të rregullt dhe transparente dhe do të vazhdojnë të bëhen në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore dhe marrëveshjet në fuqi”, thuhet në reagimin e MD-së.
Kjo situatë, ka nxitur reagime të mëdha në Kosovë.
Astrit Kolaj nga IKD-ja kërkoi që ekipet mbrojtëse të mbështeten financiarisht, në mënyrë që të jetë proces i barabartë.
“Jemi mësuar që sa here të bëjmë një kërkesë, të themi është momenti i fundit. Jo, në këtë rast jemi vonuar tepër shumë, por me mirë vonë se kurrë. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të mbështesin, pa kushte, financiarisht mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen për luftën që bënë për të mbrojtur vendin e vet nga një agresor i jashtëm siç ishte aparati shtetëror serb”, ka shkruar Kolaj.
Reagoi edhe avokati Ardian Bajraktari.
“Procesi i Hagës është në fazën delikate. Barra kryesore për rrëzimin e pikës së aktakuzës për sa i përket çështjes së ndërmarrjes së përbashkët kriminale është te ekipi mbrojtës i z. Thaçit. Të marrim mësim nga Kroacia. Kjo çështje, përkatësisht fondet, kanë qenë dhe mbeten sekret shtetëror, kjo shpërfaq qasjen që ka pasur ky shtet në raport me luftën. Tek ne, tashmë kjo është publike, në rregull, por së paku lë të mos kihet kufizim deri në shkallën sa të dëmtohet mbrojtja sa më kualitative. Kompanitë e avokatëve kualitativ kushtojnë, tërheqja eventuale është shumë e dëmshme në këtë fazë të procesit”, tha Bajraktari.