Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka paralajmëruar gatishmërinë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që përmes grupeve të infiltruara paramilitare, të zhvilloj një luftë hibride në Kosovë.
Sipas Ibishit, Vuçiq nuk ka guxim të marr ndonjë veprim më agresiv, por që ekziston mundësia reale që rasti Banjska të përsëritet.
“Vuçiq do të mundohet të zhvillojë një luftë hibride me mundësinë e infiltrimit të forcave paramilitare apo terroriste por nuk ka guxim të marr një veprim agresiv apo një sulm, sepse dihet reagimi i Policisë së Kosovës, EULEX-it e KFOR-it. Mundësia reale është që ai mund të përsëris infiltrimin e grupeve paramilitare, sikur ishte 24 shtatori i Radoiçiqit” u shpreh ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë 1.
Ndërkohë ai ka theksuar se Vuçiq në mediume prestigjioze, theksohet si përçues i mesazheve të presidentit Putin, për mundësinë e një konflikti të ri në Ballkan, me target Bosnjë Hercegovinën.
Edhe sipas Ibishit, në Bosnjë mund shpërthej një luftë e re ndëretnike në mes tri komuniteteve.
“Janë disa shkrime në disa medium prestigjioze se Vuçiq po përçon mesazhet e Putinit për mundësinë e fillimit të një konflikti të ri në Ballkan dhe si target i parë llogaritet të jetë Bosnjë Hercegovina gjegjësisht bashkëpunimi me një aleat të Puninit në Ballkan, ekstremistin Dondik , presidentin e një etniteti serb të “Republika Serbska” . Besoj që ajo do të jetë një paralajmërim jo i mirë që mund të shpërthej në një luftë të re ndëretnike në mes tri komuniteteve në Bosnjë”, shtoi ai.
Për fund, ai ka vlerësuar se duke parë situatën si të tillë, NATO është përforcuar me qëllim që të parandalohet një konflikt të mundshëm që Rusia tenton ta bëjë në Ballkanin Perëndimor.
“Mendoj që gjithë kjo që bën Dodik, Vuçiq por edhe elementi pro serb në Mal të Zi dhe gjithë situata edhe në Kosovë kanë bërë që krahu i brishtë jugor i NATOS të përforcohen me qëllim që të parandalohet një konflikt i mundshëm çfarë në aspektin gjeostrategjik Rusia tenton të bëjë në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi ai.