Kryesuesi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Altin Sahiti, është denoncuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Zyrtari i arkivit qendror të UP-së, Besfort Krasniqi, ka ngritur një kallëzim penal ndaj tij pas vendimit për shkarkimin e tij nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës, duke pretenduar se ky vendim ka parregullsi.
Sipas Besfort Krasniqit, më 29.09.2024 janë nxjerrë dy vendime brenda dy orëve me përmbajtje të ndryshme, gjë që ai e sheh si tendencioze dhe vendimarrje jo të drejtë, shkruan Insajderi.
Krasniqi thotë se: “Më 29.09.2024 kam pranuar vendimin për lirimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili përmban dymbëdhjetë (12) faqe dhe është nënshkruar nga z. Altin Sahiti, në cilësinë e Kryesuesit të Këshillit Drejtues, si organ kolegjial. Menjëherë pas pranimit të vendimit, saktësisht pas nëntëmbëdhjetë (19) minutash, në orën 12:11, Ass. MSc. Rifat Krasniqi, anëtar i Këshillit Drejtues, ka dërguar një reagim për z. Idriz Xhemajlin, duke përfshirë në komunikim edhe anëtarët e tjerë të Këshillit Drejtues dhe mua (paraqitësin e këtij kallëzimi penal), ku konteston përmbajtjen e pjesës arsyetuese të vendimit, duke ngritur shqetësimin se akti administrativ nuk është manifestim i vullnetit të organit kolegjial”.

Më tej, në kallëzimin penal thuhet se Ass. MSc. Rifat Krasniqi argumenton se dokumenti i përcjellur për shkarkim nuk ishte vendim i Këshillit Drejtues.
Sipas denoncuesit, kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së, përmes zyrtarit të arkivit qendror të UP-së, ka tentuar ta arsyetojë si korrigjim të natyrës teknike.
“Sahiti, përmes z. Idriz Xhemajli, zyrtar i arkivit qendror të UP-së, ka tentuar ta arsyetojë si korrigjim të natyrës teknike, por nëse analizohet me kujdes versioni përfundimtar (që mban të njëjtën datë dhe të njëjtin numër të protokollimit) i vendimit, bëhet fjalë për ndryshim përmbajtësor të tij. Më saktësisht, pjesa arsyetuese e versionit fillestar të vendimit ka devijuar nga situata faktike mbi të cilën është diskutuar dhe marrë vendimi, duke zgjeruar përmbajtjen edhe në konstatime të tjera që nuk kanë qenë fare pjesë e diskutimeve dhe shqyrtimit në mbledhjen e Këshillit Drejtues,” thuhet në kallëzim penal.
Sipas Krasniqit, pjesa arsyetuese e versionit fillestar të vendimit përmban konstatime paragjykuese dhe pretendime të pabazuara, të cilat kanë tendencë të dëmtojnë imazhin e tij.
Mes tjerash aty thuhet se Altin Sahiti me vetëdije të plotë, ka ushtruar diskrecion në mënyrë të kundërligjshme, duke falsifikuar vullnetin e shumicës dhe duke tentuar ta vë në lajthitje.
“Duke vepruar në kundërshtim me parimet e procedurës së përgjithshme administrative, z. Sahiti ka konsumuar edhe elemente të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit të tij zyrtar, pasi i ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të më shkaktojë dëm dhe të ma përkeqësojë pozitën juridike në procedurë administrative, me legalizim të një përmbajtjeje të rreme në dokument publik, përmbajtje kjo e etabluar nga ai në versionin fillestar të Vendimint 2 me nr. prot. 2/889, datë 26.9.2024, pa diskutim paraprak dhe pa marrje të aprovimit të anëtarëve të Këshillit Drejtues”.
Sipas Krasniqit pjesa arsyetuese e versionit fillestar të vendimit përmban konstatime paragjykuese dhe pretendime të pabazuara, të cilat kanë tendencë dëmtimin e imazhit. /Insajderi.org/
