Këngëtarja turke, Gulsen është arrestuar dhe akuzuar për nxitje të urrejtjes për një shaka që ka bërë me shkollat fetare.
Në prill, këngëtarja me shaka një anëtar të grupit të saj e quajti “pervers” për shkak se ai kishte marrë pjesë në një prej këtyre shkollave, shkruan BBC.
Pavarësisht se komentet ishin të vjetra, ato së fundmi u bënë virale në internet, duke tërhequr kritika nga qarqet konservatore.
Kritikët thonë se arrestimi është një përpjekje e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të konsoliduar mbështetjen përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Para arrestimit të saj, Gulsen – e cila shihet si Madonna e Turqisë – kishte kërkuar falje në mediat sociale dhe sugjeroi se fjalët e saj u kapën nga ata që synojnë të “polarizojnë shoqërinë”.
Duke shkruar në Twitter dhe Instagram, këngëtarja tha se ndërsa po “mbronte lirinë e shprehjes” me “shakanë mes kolegëve” i kërkoi falje “të gjithëve që u ofenduan”.