Jo një folklorist i vetëstiluar që në kushte shtëpie me një çifteli me pllug elektrik dhe kartelë zënore, regjistron në kompjuterin e vet një këngë në terma adhurimi politik për Albin Kurtin. Por, një këngëtare e etabluar popullore, tash edhe në garë për legjislatore, Edona Llaloshi. Aty ku vota po kërkohet më së shumti, në diasporë, ajo i këndoi sikurse një heroi mitik popullor, Albin Kurtit, “që qet pushkë … Si zog mali … Nga njëra në tjatrën kodër … Që zbret nga veriu”. Pas ngritjes së tij në bronz për së jetuari në një fshat të Podujevës, Albin Kurti i Vetëvendosjes e gjeti veten edhe të kënduar si hero popullor i stilit trim mbi trima. Pafund reagime u bënë për pahijësinë jobashkëkohore të një lartësimi të tillë muzikor.
“Këto veprime elektorale nuk janë aq të pafajshme siç mund të duken”, na thotë Visar Ymeri, ish-Kryetar i Vetëvendosjes, në një përgjige me shkrim për Nacionale. Kënga dhe himnizimi heroik i Albin Kurtit nga partia e vet, për Ymerin, “nuk bëhet veç për vota”.
“Sa më shumë që po tokëzohet Kurti si politikan, ne kuptimin e një politikani të zakonshëm që pak-e-hiç di të qeverisë, e pak-a-shume mbështet korrupsionin e partiakëve të vet, aq më shumë po kërkon hyjnizimin e tij si një figurë epike dhe kreshnike. Kënga për të në fakt e shpërfaqë këtë tendencë. Këto veprime elektorale nuk janë kaq të pafajshme siç mund të duken – nuk bëhen veç për vota.
Përmes shpërqendrimit nga temat, veprime si këto investojne në një perceptim tjetër për historinë dhe rolin e liderit në të. Por, edhe më me rëndësi se kaq, kjo tregon edhe dy gjëra shumë problematike për demokracine: Vetëvendosja nuk do të flasë për politika por për lider; dhe VV nuk do të flasë për atë se ku duhet të shkojë Kosova por vetëm në një të kaluar të frabikuar”, tha Ymeri për Nacionale.
Ermal Sadiku, inxhinier dhe tash deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dyshimeve dhe pandehjeve se ajo mund të ketë qenë e prodhuar nga inteligjenca artificiale, i dha një përmbylle argumentuese. Që jo, sepse AI “është inteligjente”, ndryshe nga këndimi epiko-propagandistik i një këngëtareje partizane.
“Shoqni, kanga e Edona Llalloshit per Kurtin nuk eshte AI. E perseris, NUK ESHTE AI. NUK ESHTE KRIJU ME INTELIGJENCE ARTIFICIALE. AI eshte inteligjent. AI ka logjike. AI ka memorie. AI besa ka pak edhe dinjitet”, shkroi ai.
Për gazetarin Valon Syla koha e këngëve të tilla dhe “ky nivel i kulturës” ka perënduar qysh moti me ndërrimin e kohëve, por rikthimi i saj në vitin 2026 “tregon se VV nuk po munden me gjetë veten”.
“Kjo kohë, me këso këngë ka kalu moti dhe ky nivel i kulturës, në prag të vitit 2026, në kohë të intelegjencës artificiale tregon se Vetëvendosje spo mundet me gjetë veten. Ata po i kthehen këngës me çifteli-pop me Llaloshin në kohën kur Dua Lupa e Rita Ora, me origjinë kosovare vendosin trende botërore…”, shkroi Syla.






