Një ngjarje tejet e rëndë, pati tronditur Kosovën më 9 maj të këtij viti.
Në rrugën “B” në Prishtinë, në banesën e tij, ishte gjetur i vdekur dizajneri i njohur kosovar, Festim Isufi.
Në lidhje me rastin, detaje pati dhënë asokohe Policia e Kosovës, ku tregohej se e lënduar në këtë rast pati mbetur edhe gruaja e Festimit, Rina Maloku.
“Rreth orës 15:00 është raportuar për dy persona të lënduar në një ndërtesë në rrugën “B” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara femër, 30 vjeçare është dërguar për tretman mjekësor. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, thuhej për rastin.
Mbi këtë ngjarje po atë ditë është deklaruar edhe Prokuroria, ku u tha se po bëhet gjithçka për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.
“Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se sot, më datë 09.05.2025, rreth orës 03:00 në “Rrugën B” në Prishtinë, ka ndodhur një rast i rëndë, ku një (1) person mashkull ka humbur jetën, dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale me kallëzim penal si ‘’Hetim mbi vdekjen’’, për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje. Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Të njëjtën ditë, e lënduar kishte mbetur edhe bashkëshortja e Festim Isufit, tiktokerja, Rina Maloku. Ajo kishte dal e përgjakur dhe kishte kërkuar ndihmë në ordinancën dentare “Alba Dent”, e më pas ajo kishte pranuar tretman mjekësor, por që ishte lënduar lehtë.
Që nga maji e deri më sot, nuk janë dhënë detaje të tjera që mund të tregonin rrjedhën e kësaj ngjarjeje.
Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë për lajmi.net se e kanë pranuar raportin e autopsisë dhe se në lidhje me vdekjen tragjike të Festim Isufit kanë intervistuar disa persona.
Ata kanë treguar po ashtu se bashkëshortja e Festim Isufit, Rina Maloku nuk është e dyshuar.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar raportin e autopsisë dhe ka intervistuar disa persona. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nuk ekzistojnë dyshime të bazuara lidhur me këtë rast”,thuhet në përgjigje.
Përpos kësaj, u tha se Prokuroria po pret edhe disa prova shtesë, që do ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes.
“R.M. nuk është e dyshuar dhe ndaj saj nuk është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Megjithatë, Prokuroria është ende në pritje të disa provave shtesë, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes”.






