Adriatik Kelmendi ka thënë se deputeti Albin Kurti është i pakënaqur me vetveten në dy aspekte.
Në emisionin special të Klan Kosovës për seancën konstituive të Kuvendit, gazetari dhe autori i emisionit Rubikon tha se Kurti është i pakënaqur edhe me votat që ka siguruar në zgjedhjet e 9 shkurtit, sikurse edhe me qeverisjen e tij katër vjeçare.
“Partitë që kanë qenë në opozitë më parë kanë dhënë propozime shumë korrekte, nga AAK që ka propozuar dy emra, dy zonja shumë të votuara të LVV-së, të cilat do të mund të votoheshin. Me votat e AAK-së, ato do të mund të zgjidheshin kryetare të Kuvendit dhe ta zhbllokonin këtë situatë. Por ne po ballafaqohemi me një Albin Kurt që është i pakënaqur me vetveten. Si me të arriturat në zgjedhjet e fundit, por edhe me qeverisjen katër vjeçare që lamë pas. Kurti ka kërkuar 500 mijë vota për të qeverisur i vetëm, duke i evituar bllokadat që mund të vijnë nga partitë opozitare ose nga Lista Serbe. Kurti nga këto zgjedhje ka dalë me shumë më pak vota, dhe nuk po di si të ecë përpara. Ai e di se një qeveri që do të formohej nga Kurti që do të jetë më e dobët se që e ka pasur. Kurti ka filluar ta kuptojë se egon e ka më të madhe sesa kompetencën dhe dijen dhe kjo po i reflekton në vendimmarrje”, deklaroi Kelmendi.
Ai tha se nëse LVV dëshiron të shohë konstituim të Kuvendit dhe fillimin e ecjes së orës demokratike, “atëherë do ta ndërrojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit”.
“Partitë tjera nuk mund të kenë kandidat, sipas Kushtetutës së Kosovës”.
Ai tha se LVV gjithmonë e sheh fajtorin te tjetri, mirëpo shton se ata duhet të sigurojnë numrat dhe të kalojnë këtë ngërç.