Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar ashpër lidhur me mënyrën se si po trajtohen dhe prezantohen krimet e luftës në Kosovë.
Pas ekspozitës së Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë e cila nxiti reagime të shumta në të cilën u gjetën shumë pasaktësi, Kelmendi ka theksuar përvojën e tij shumëvjeçare në hulumtimin e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
“Pa modesti, ka gjasa jam gazetari kosovar që më së shumti është marrë me krimet e luftës së forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Për disa vjet pas luftës kam dokumentuar me punë në terren, me intervistimin e qindra të mbijetuarve, masakrat e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit, Dardanisë në Pejë, Gjakovë, Izbicë etj., si dhe djegien e kufomave të shqiptarëve në furrënaltat e Trepçës”.
“Kam publikuar me dhjetra shkrime e disa fejtone në Koha Ditore me këto hulumtime. Seria e radio dokumentarëve për masakrën e Qyshkut, prodhim i National Public Radio, në të cilin kam punuar, i ka fituar pesë shpërbime prestigjoze gazetarie në ShBA (për herë të parë kur kam udhëtuar drejt Amerikës ka qenë për ta pranuar shpërblimin). Versioni i njërit prej këtyre dokumentarëve është transmetuar paralelisht në anglisht (NPR), shqip (Radio Dukagjini) dhe serbisht (B92), në ditën kur ka nisur gjykimi ndaj kryekasapit Slobodan Milosheviq në Hagë”.
“Kam bashkëpunuar gjatë me American Radio Works (MPR/NPR), Human Rights Ëatch dhe Fondi për të Drejtën Humanitare për dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë (emrin tim e gjeni në plot publikime të tyre). Kam prodhuar dhjetra emisione Rubikon për këtë temë. Kam marrë pjesë në dhjetra konferenca ndërkombëtare për temën e njëjtë”, deklaroi Kelmendi në Facebook.
Ai mes tjerash theksoi se asnjëherë nuk e ka marrë guximin ta shkruaj dhe ta botoj një libër kapital për masakrat ose krimet serbe në Kosovë.
“Por kurrë, hiç asnjëherë, nuk kam marrë guximin ta shkruaj dhe ta botoj një libër kapital për masakrat ose krimet serbe në Kosovë, duke e ditur se sa përgjegjësi dhe përkushtim kërkon një ndërmarrje kaq me rëndësi dhe ndjeshmëri”.
“Ja që dikush e ka guximin e çuditshëm që i hyn kësaj pune me gjasë pa hulumtuar asnjë ditë në terren dhe nxjerr libra, organizon ekspozita, dhe krejt këto mbështetur me paratë e taksapaguesve kosovarë.Kur i del sipërfaqësia në shesh, shkon dhe e kryen edhe një krim tjetër – ia hedh “fajin” njeriut që ka punuar më së shumti për ndriçimin e krimeve serbe ndaj shqiptarëve, Natasha Kandiqit.Papërgjegjësi dhe pafytyrësi e madhe!”.






