Keku është një nga ëmbëlsirat më të thjeshta për t’u përgatitur, dhe nga më të mirat për t’u shijuar.
Recetat e tij janë nga më të pafundmet, pasi çdo gjë mund të kombinohet me brumin e tij të butë dhe të shkrifët.
AgroWeb.org këtë radhë ju tregon se si të bashkoni thatësinë e rrushit të thatë, mollët krokante dhe lëngun e portokallit për të krijuar një delikatesë unike.
Zbuloni hapat e recetës mëposhtë dhe shijojeni që sot me të dashurit tuaj duke e shoqëruar me pak reçel kajsie, akullore apo çokollatë të shkrirë.
Përbërësit:
- 3 vezë
- 1 filxhan çaji kos
- 1 e 1/2 filxhan çaj sheqer
- 1 filxhan kafe qumësht
- 1 filxhan vaj bimor
- 4-5 filxhan çaji miell
- 1 pako pluhur pjekës
- 100 gr rrush I thatë
- lëngu i një portokalli
- 1 lugë çaji lëkurë portokalli
- 1-2 mollë
- 1 lugë çaji sheqer
- 1/2 lugë kafeje kanellë
- Tepsi 26 cm
Përgatitja:
Fillimisht vendosim rrushin e thatë në lëng portokalli të zbuten. Në një tas vendosim vezët të plota, kosin, sheqerin, qumështin, vajin dhe të gjithë këto përbërës i përziejmë mirë deri sa të na formohet një masë homogjene.
Shtojmë miellin pak nga pak dhe pluhurin pjekës si dhe 1 lugë çaji lëkurë portokalli, përziejmë brumin. Shtrydhim rrushin e thatë nga lëngu i portokallit dhe i vendosim në brumë dhe vazhdojmë përzierjen.
Qërojmë mollën nga lëkura dhe e presim ne feta të holla. I spërkasim dhe ato me lëng portokalli dhe sheqer.
Lyejmë tepsinë me gjalpë e pudrosim me miell dhe vendosim brumin në të. Sipër brumit vendosim në formën e rrezes fetat e mollës duke shtuar mbi to dhe disa kokrra rrush të thatë.
Në fund 1 lugë çaji sheqer dhe 1 lugë kafe kanellë i përziejmë dhe pudrosim mollën në sipërfaqe, vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 175- 180 gradë Celsius për 35-40 minuta.
Në fund pasi e nxjerrim nga furra ashtu të ngrohtë mund të lyeni sipër me pak reçel kajsie.