16.4 C
New York
Wednesday, May 14, 2025

Buy now

KDI: Po futemi në një krizë serioze kushtetuese dhe politike

- Advertisement -

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një deklaratë për media, vlerësoi se sjellja e VV-së përbën shkelje të qartë të procedurës parlamentare dhe e cilësoi këtë veprim si përpjekje për të fituar kohë dhe për të vënë opozitën në pozitë të vështirë politike.

“Në fakt sot, për dallim prej seancës së pardjeshme kur kishim vendim të Kuvendit për të mos e votuar Haxhiun, kësaj here përkundër deklarimit të Konjufcës si përfaqësues i VV-së, nuk u konsumua fare procedura që përbën shkelje të obligimit që ka VV-ja për të propozuar kandidatin dhe që propozimi materializohet si i tillë vetëm kur vendoset me procedurë votimi dhe jo kur përmendet emri në foltore por që i njëjti nuk konsumohet. Kjo është hera e parë që VV nuk e ka konsumuar të drejtën e saj për të propozuar kandidatin e kryetarit të Kuvendit. Unë besoj që është më shumë përpjekje për të blerë kohë dhe për t’i vendosur partitë opozitare në një lloj presioni politik. Jemi duke i futur në një krizë shumë serioze kushtetuese dhe politike”, tha Cakolli.

Ai paralajmëroi se mungesa e përcaktimit kohor për zgjidhjen e kësaj situate mund ta zgjasë pa afat krizën institucionale. Por problem më i madh, sipas tij, do të paraqitet vitin e ardhshëm kur i skadon mandati presidentes së vendit.

“Në mungesë të një përcaktimi kohor kjo situatë mund të vazhdojë pafundësisht, por në rastin tonë, për shkak se në vitin e ardhshëm i skadon mandati presidentes së vendit, në rast se Kuvendi nuk arrin që të zgjedhë një president deri vitin e ardhshëm në afatin e përcaktuar ligjor, atëherë Kuvendi do të shpërndahej automatikisht. Ndonëse është diskutabile nëse mund të shpërndahet një Kuvend që nuk është konstituuar fare”, deklaroi ai.

Cakolli theksoi se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është kushti kyç për të evituar bllokadën dhe për të mundësuar vazhdimin e proceseve të tjera institucionale.

“Zgjidhja e vetme për të shkuar në zgjedhje është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk mund të kryejmë proces zgjedhor. Gjykata dhe normat tjera në fuqi e përcaktojnë që nëse qeveria nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, përfundoi Cakolli

Të ngjashme

Të fundit