Vullnet Bugaqku nga KDI ka treguar se Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar gjashtë raste kur vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Duke përmendur të gjitha rastet, ai ka bërë me dije se dështimi i zgjedhjes se presidentit brenda afatit 30 ditor të përcaktuar në Kushtetutë nuk e dërgon vendin automatikisht në zgjedhje.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se për këtë rast Kushtetuta nuk ka sanksion eksplicit.
“Afati 30 ditor i përcaktuar në Kushtetutë, për zgjedhjen e Presidentit para skadimit të mandatit të Presidentit aktual është obligim kushtetues procedural por nëse nuk respektohet, nuk ka sanksion eksplicit kushtetues, ligjor dhe politik për Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Bugaqku.
Sipas Kushtetutës, shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme mund të ndodhë në këto raste:
-
Nëse dështon zgjedhja e Qeverisë për dy herë radhazi (neni 95, paragrafi 4);
-
Nëse brenda 60 ditëve nga caktimi i mandatarit nga Presidenti, nuk formohet Qeveria (neni 82, paragrafi 1, pika 1);
-
Nëse brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës (neni 82, paragrafi 1, pika 3);
-
Nëse dështon zgjedhja e Presidentit pas tri raundeve votimi (neni 86, paragrafi 3);
-
Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e deputetëve (neni 82, paragrafi 1, pika 2);
-
Kur Presidenti mund ta shpërndajë Kuvendin pas votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë — situatë fakultative, jo detyruese (neni 82, paragrafi 2).






