Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësim të thellë për dështimin e përsëritur të Kuvendit për të miratuar raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, një ndër hapat e domosdoshëm drejt konstituimit të Kuvendit dhe fillimin e punës së legjislaturës së re.
Sipas KDI, mosdorëheqja formale e Kryeministrit dhe ministrave në detyrë të cilët janë zgjedhur deputetë, përveçse shkelje e qartë e parimeve të ndarjes së pushteteve, po pamundëson votimin e raportit, duke cenuar drejtpërdrejt funksionalitetin institucional të Kuvendit.KDI rikujton se sipas legjislacionit në fuqi, anëtarët e ekzekutivit duhet të japin dorëheqje, madje qysh para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Po ashtu, edhe dispozitat kushtetuese ndalojnë ushtrimin e funksioneve të papajtueshme me mandatin e deputetit. Mosrespektimi i këtyre dispozitave nuk është çështje teknike apo e interpretimeve procedurale – por një shkelje e qartë e normave që rregullojnë ushtrimin e funksioneve publike në një rend demokratik.
Gjithashtu, KDI vlerëson se mbyllja e sotme e seancës konstituive nga ana e Kryesuesit të saj, deputetit Avni Dehari, përbën shkelje të rregullores dhe praktikës parlamentare, pasi ajo u ndërpre pa u realizuar votimi për raportin nga Komisioni i Përkohshëm dhe pa u konsumuar asnjë nga pikat e rendit të ditës. Një veprim i tillë, që anashkalon procedurat pa vendim formal të Kuvendit, cenon seriozisht legjitimitetin e procesit dhe i shton më tej paqartësitë rreth funksionimit të seancës.Fakti që Kuvendi nuk po arrin të verifikojë mandatet për shkak të këtij ngërçi të krijuar nga mungesa e dorëheqjeve formale tregon për një mungesë të vullnetit për të respektuar ligjin dhe për të lejuar funksionimin normal të institucioneve. Ky veprim, apo më saktë mosveprim, nga ana e anëtarëve të Qeverisë në detyrë, po e kthen një procedurë standarde dhe të thjeshtë – në një krizë të panevojshme politike dhe institucionale.
KDI u bën thirrje Kryeministrit dhe ministrave në detyrë që kanë fituar mandate si deputetë që të respektojnë detyrimin e qartë ligjor për dorëheqje formale nga pozitat ekzekutive, në mënyrë që të mundësohet përfundimi i seancës konstituive të Kuvendit.Institucionet nuk mund të konstituohen duke anashkaluar ligjin. Çdo zvarritje e mëtejshme është papërgjegjësi politike dhe cenon besimin e qytetarëve në procesin demokratik