Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga presidentja e Kosovës t’i ftojë në takim liderët e partive politike.
Njoftimi:
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se Kuvendi i Kosovës ka hyrë në një cikël absurd seancash çdo 48 orë, pa reflektim politik dhe pa asnjë rezultat konkret. Mungesa e një përpjekjeje serioze për marrëveshje që siguron shumicën dhe përsëritja e kandidaturës së njejtë, e ka kthyer këtë proces kushtetues në një formalitet të zbrazët që nuk prodhon asgjë.
Rregullorja e Punës së Kuvendit ka vlerë vetëm nëse respektohet në frymën e saj, të funksionalitetit të Kuvendit. Prandaj, ajo nuk mund të keqpërdoret si mburojë e mos-vullnetit politik, dhe aq më pak për të justifikuar një status-quo të paarsyeshme. Nëse procedurat shndërrohen në arsyetim për bllokadën, atëherë problemi kërkon adresim në nivel politik – jo vetëm teknik.
Në këtë kontekst, KDI beson se është koha që Presidentja e vendit të thërrasë një takim me liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar zgjidhje të mundshme. Kushtetuta e ngarkon atë me detyrën për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe në një situatë si kjo – ku institucioni më i lartë përfaqësues është i bllokuar – angazhimi i saj politik dhe institucional është i justifikuar por edhe i domosdoshëm.