Miratimin e Kuvendit mbi 2 vite e presin projektligjet si ai për festat zyrtare, për vetëqeverisjen lokale, bujqësinë, tokën ndërtimore, aktet juridike dhe faljen e masave ndëshkimore gjatë pandemisë COVID-19, njofton KDI.
Përveç tyre, në Kuvend mbi 1 vit po presin miratimin edhe shtatë projektligje tjera, ndër to ai për lotarinë, arsimin e lartë, tekstet shkollore, për verërat, për lirinë fetare, për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor si dhe projektligji për tatimin në pronë.
Sipas KDI-së, arsyeja se përse këto projektligje nuk janë miratuar është për shkak se për miratimin e tyre nevojitet shumica e dyfishtë, konkretisht shumica e votave nga komunitetet jo-shumicë.
“Arsyeja pse ende nuk janë miratuar disa nga projektligjet në fjalë është kryesisht për shkak se për miratimin e tyre nevojitet shumica e dyfishtë, konkretisht shumica e votave nga komunitetet jo-shumicë. Për shkak të bojkotimit të Kuvendit nga ana e Listës Serbe, mbetet e paqartë se kur do të miratohen këto projektligje nga ana e Kuvendit. Gjithashtu, rikthimi potencial i kësaj partie në Kuvend nuk garanton përkrahje për miratimin e tyre”.
“Në rastet tjera, vonesa ka pasur në miratimin e disa prej projektligjeve që nuk janë sponzoruar nga Qeveria, e cila rëndom shtynë përpara agjendën e saj legjislative. Projektligje si ai për tatimin në pronë që është propozuar nga 6 deputetët të opozitës apo ai për faljen e masave ndëshkimore të pandemisë që është propozuar nga mbi 10 mijë qytetarë, presin ende radhën për tu miratuar”.
Sipas Rregullores së Punës, koha që i nevojitet Kuvendit për të miratuar një projektligj llogaritet të jetë rreth gjashtë muaj. Përjashtim nga ky rregull bëjnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat parashihet të miratohen brenda 3 muajve. Megjithatë, edhe miratimi i tyre është zvarritur me muaj të tërë, nga mungesa e konsensusit mes pozitës dhe opozitës, që ka pamundësuar sigurimin e 2/3 të votave të nevojshme, bën me dije KDI-ja.
“Vonesat në miratimin e projektligjeve reflektojnë mungesën e efikasitetit të institucionit të Kuvendit dhe ndikojnë drejtpërdrejtë dhe negativisht në mirëqenien e qytetarëve”.
Për të adresuar këtë çështje, KDI inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet partive politike të pozitës dhe opozitës dhe partive nga radhët e komuniteteve jo shumicë. Është e domosdoshme që të gjenden mënyra efektive për të siguruar që procesi legjislativ të jetë efikase dhe në përputhje me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.