Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar ndaj vendimeve të marra nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje sot për Byronë Shtetërore dhe emërimet në KOSTT, duke thënë se me këtë po forcohet korrupsioni dhe kapja e institucioneve, si dhe po keqpërdoret Kuvendi i Kosovës për motive elektorale.
KDI thotë se emërimi i familjarëve të ministrit të Mjedisit Liburn Aliu dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi si anëtarë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike KOSTT, paraqet shembull flagrant të nepotizmit dhe konflikt interesi dhe në funksion të përdorimit të institucioneve për interesa private.
Për më tepër, KDI konsideron se shqyrtimi dhe miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në të dy leximet brenda një periudhe të shkurtër kohore paraqet një tjetër goditje për proceset demokratike parlamentare.
“Ky projektligj, i proklamuar si ndër më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit, nuk do të duhej të miratohej pa konsultime publike, pa debat parlamentar dhe pa përfshirjen e publikut. Ky nxitim në miratimin e tij, lë të kuptohet se projektligji po përdoret për qëllime elektorale, në vend që të shërbejë si mekanizëm kundër pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve publikë”.
KDI thotë se zhvillimet e fundit po e dobësojnë shtetin e së drejtës dhe favorizojnë interesat e ngushta politike të partisë në pushtet, duke keqpërdorur Kuvendin e Kosovës për motive elektorale