Katër turistë spanjollë ishin ndihmuar mbrëmë nga Policia e Shtetit pasi kishin mbetur në plazhin e quajtur “Pllakatun” në Shqipëri.
Në njoftimin e PSh-së thuhet se ishte errësirë dhe të huajt nuk e njohën terenin.
“Shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në zonën e sinjalizuar. Katër turistët janë lokalizuar nga shërbimet e Policisë, të cilat i kanë transportuar ata, me mjet lundrues, nga deti, dhe më pas i kanë shoqëruar në vendin ku ishin akomoduar në Sarandë”.
“Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar punonjësit e Policisë, për gatishmërinë e treguar si dhe për ndihmën e ofruar. Shërbimet e Policisë Kufitare ftojnë çdo qytetar/pushues që gjendet në nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit, të kërkojë ndihmë, dhe ndërhyrja nga shërbime të specializuara për secilin rast, do të jetë e menjëhershme”, thuhet në njoftimin e PSh-së në Facebook.