Gjykata Speciale ua refuzoi aplikimin e shtatë nga dhjetë personave sa aplikuan për statusin e viktimës në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Katër nga ta, nuk paraqitën dokumentin e identifikimit, respektivisht letërnjoftimin ose pasaportën.
Njëri nga ta, sipas njoftimit të Speciales, harroi të vendoste nënshkrimin në aplikacionin për statusin e viktimës në gjykimin ndaj ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve, raporton Demokracia.com.
“Paneli pranon se një nga aplikantët nuk e ka nënshkruar aplikacionin dhe katër të tjerë nuk kanë ofruar karta identifikimi ose pasaporta në mbështetje të aplikimeve të tyre”, thuhet në njoftimin e Speciales, të lëshuar të premten.
Gjykimi kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të fillojë më 3 prill. Vendimi është marrë pasi një datë të tillë e kanë propozuar avokatët e të akuzuarve dhe nuk ka pasur kundërshtime nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në pjesën e parë të konferencës Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë.
Ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.