Katari ka ndërmarrë një investim prej 10 miliardë dollarësh në Indi, që do të përfshijë sektorë të ndryshëm, përfshirë energjinë, infrastrukturën dhe teknologjinë.
Ky angazhim u bë i ditur në një deklaratë të përbashkët nga dy shtetet pas vizitës të martën të Emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, në Nju Delh.
Kryeministri indian Narendra Modi tha se pati një “takim shumë produktiv” me Emirin, ku një nga temat kryesore të bisedimeve ishte rritja e lidhjeve tregtare midis dy vendeve. Ai shtoi se objektivi ishte rritja dhe diversifikimi i tregtisë mes Indisë dhe Katarit, e cila aktualisht është e përqendruar kryesisht në energjinë dhe gazin natyror. Modi theksoi gjithashtu se Katari mund të luajë një rol të rëndësishëm në investime dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e infrastrukturës në Indi.
Kjo vizitë ishte e para e një Emiri të Katarit në Indi në 10 vitet e fundit dhe u vlerësua si një mundësi për të thelluar marrëdhëniet mes dy kombëve. Kjo ndodhi në një kohë kur India po kërkon të diversifikojë burimet e energjisë dhe të forcojë lidhjet e saj ekonomike me shtetet e Gjirit, përfshirë Katarin, një eksportues të madh të gazit natyror.