Kadri Kastrati, ish-komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka fol për situatën politike dhe pasojat e saj në sigurinë e vendit.
“Sot situata politike nuk është e mirë, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe mosvotimit të një qeverie funksionale. Kjo ka pasoja edhe në sigurinë e vendit”, ka deklaruar Kastrati.
Ai theksoi se shumë liderë politikë në Kosovë po bëjnë deklarata që, sipas tij, synojnë të largojnë vëmendjen e qytetarëve nga moskonstituimi i Kuvendit dhe paaftësia për të ecur përpara.
“Këto deklarata janë për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga problemi kryesor – moskonstituimi i Kuvendit dhe mosformimi i një qeverie funksionale”, ka deklaruar Kastrati në RTK.
Kastrati komentoi edhe qëndrimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në qeverinë serbe, i cili ka folur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne më së paku presim që Igor Popoviqin ta lavdërojë UÇK-në, por në vend të kësaj ai ka bërë fyerje dhe ka nxitur urrejtje ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, ka theksuar Kastrati.
Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë vepruar jashtëzakonisht mirë duke e arrestuar Popoviqin, pasi ai ka hyrë në territorin e Kosovës duke keqpërdorur lejen për të mbajtur një fjalim.
“Ai më së paku duhej t’u lejohej që të fyejë qytetarët e Kosovës dhe UÇK-në, ndërsa deklaratat e tij kanë nxitë urrejtje dhe kanë fyer ata që kanë merita të mëdha për shtetin tonë”, ka deklaruar ai.
Kastrati shtoi se pret që gjykata ta dënojë Igor Popoviqin me një dënim të merituar për veprimet e tij.