Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka deklaruar se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kanë vendin në burg.
Kjo sipas tij, për rastin e keqpërdorimeve të rezervave shtetërore.
“Ne i kemi denoncuar aferat më të rënda korruptive… ka aktakuza. Për mua Rozeta dhe Albin Kurti e kanë vendin në burg. Të dytë e kanë vendin në burg. Ekziston një e-mail, kur Rozeta i shkruan Ridvan Muharremit, ku shkon Albin Kurti me ngrënë bukë te ai në restorant. I thotë ‘hajde aman më shpejt, qeto rezerva shtetërore…’ u zhdukën vaji, mielli. Ne e kemi diskutuar këtë në parlament, jo njëherë por me qindra herë”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ndërkohë, përveç rastit të rezervave shtetërore, Kastrati potencon se Kurti meriton dënim me burgim edhe për rastin e ambalazhuesve. Sipas tij, Kurti për këtë rast nuk ka reaguar.
“Për çështjen e ambalazhuesve ne e kemi kallë flakë Kuvendin. Sepse, tipi që është arrestuar e që është anëtar i VV-së te ambalazhuesit me dhjetëra miliona euro që kanë shkuar dëmi, është raportuar në media që ai i ka rreth 500 mijë euro qarkullim e i ka 100 mijë të depunune në bankomat e i ka 4-5 banesa dhe kjo është vepra penale. Kryeministri si shef i këtyre vartësve nuk ka reaguar. Prandaj, i bën këto reagime në fushatë. Sepse, e ka tutën që ka me shkua në burg Albin Kurti. Ai është dashur me reagua si kryeministër me thënë ‘jo, nuk vazhdon falja e borxheve, sepse është dëm i buxhetit të Kosovës me miliona’”, tha ai.
Ndërkaq, Kastrati thotë se për shkak të këtyre dy rasteve, Kurti përveç frikës nga burgu po flet në fushata edhe si i dehur.
“Te rezervat shtetërore po i tutet burgut, sepse aty e-maili është i qartë që Rozeta i kërkon Ridvan Muahrremit hajde me na i sjell rezervat shtetërore. Albin Kurti po i frikohet burgut për këto dy vepra e që ndoshta ka edhe ndonjë tjetër që unë nuk e di. Prandaj, po bën kësi fushata si me qenë i dehur prej alkoolit”, deklaroi ai.
Në gusht të vitit 2024, disa persona ishin arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Në mesin e të arrestuarve kishte edhe punonjës të MINT-it. Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas dyshimeve se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, si dhe rezervat e grurit, nuk kishin arritur kurrë. Në atë kohë, Hajdari kishte thënë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.