Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati në lidhje me vendimin e Ministrisë së Arsimit për tekstet shkollore ka thënë se përgjegjësi kryesor është kryeministri, Albin Kurti ndërsa ministrja, Arbërie Nagavci është vartëse e tij.
Në një konferencë për media, Kastrati ka thënë se duhet të shtrohet pyetja a “do të dalë gruaja e Albin Kurtit para librarive dhe të presë në temperatura të larta për furnizim me libra njësoj sikurse qytetarët e Kosovës”.
Sipas tij, edhe familja e Kurtit do duhej të përjetonte këtë vendim për të cilin po e pësojnë sipas tij qytetarët e Kosovës.
“Përgjegjësi kryesor është Albin Kurti. Shtrohet pyetja, gruaja e Albin Kurtit a do presë nëpër librari si prindërit e tjerë që kanë me prit me orë të tëra në 30 gradë. Le të sjellë ta përjetojë familja e tij fatin e të tjerëve se sa po ec ekonomia, si po shkon arsimi. Nagavci është vartëse e tij, nuk besoj që ka qytetarë që i pëlqen ky vendim me dalë para librarive dhe me i përjetu të gjitha këto komplikime. Është situatë komplekse, kaotike”, ka deklaruar Kastrati.