Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot ka deklaruar se vendi ynë mund ketë fatin prapë si të 24 shtatorit, kur ndodhi një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit.
E lidhur me këtë deklaratë, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Ardian Kastrati ka thënë se pritet të ketë skenare të ngjajshme sikurse sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kastrati në emisionin “Debat Plus” në Televizionin Dukagjini ka thënë se shteti i Serbisë është armatosur afro tre miliardë euro që nga viti 2012-2013 por që sipas tij nuk ‘shihet ndonjë konflikt i armatosur përderisa NATO është në territorin e Kosovës.
“Sa i përket deklaratës së Besnik Bislimit, nuk shkohet në mal pa sopatë me pre dru. Serbia prej vitit 2012-2013 është armatosur afër tre miliardë euro, duke filluar nga sistemet antiraketore, antidron, kineze, ruse etj. Nuk shoh që një konflikt i hapur armatosur, luftë është e mundur përderisa ne i kemi forcat NATO-së në Kosovë. A do të mbroheshim? Natyrisht se do të mbroheshim. Cila do të ishte kostoja? Më e madhe se 1999. Por nuk bëhet fjalë për luftë. A do të ketë skenare si të Banjskës? Po. Mendoj që po, ishalla jo por ka mundësi që po”, është shprehur Kastrati.
Kastrati u shpreh se qeveria aktuale e Kurtit e ka përmbytur ‘strategjinë’ e qeverive të kaluara të vendit. E që sipas tij Qeveria Kurti dhe Besnik Bislimi po bëhen kryetituj të mediave botërore qoftë me çështjen e sigurisë apo konfliktit të hapur ose luftë.
“Këto deklarata bëhen sepse këta e kanë përmbysur krejt ‘një lloj strategjie’ që e kanë pasur kryeministrat e kaluar dhe qeveritë në krahasim me atë tash. Strategjia e tyre ka qenë që hap pas hapi me u arrit deri tek finalja e njohjes së ndërsjelltë, normalizimi i marrëdhënieve etj. Integrimi i komuniteteve të bëhet gradualisht ashtu siç ishte bërë në institucionet sikurse polici, prokurori, gjyqësi etj. Pa e bërë shumë të madhe, dhe se kryetitujt e gazetave të mëdha të mos jenë çështjet e sigurisë, konflikti i hapur dhe lufta siq e bëjnë Bislimi, Kurti dhe lëngu i tyre. Nuk po tham se nuk ka pasur krim e korrupsion sikurse ka edhe tani, por ka pasur më shumë sovranitet atë kohë dhe ndoshta më shumë se tash”, shtoi ai.