Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ardian Kastrati, ka reagaur pas deklaratave që bëri Escobar, ku tha se Kurti i refuzoi propozimet për dinarin, dhe i shpalosi dy kushtet e radhës për pranimin e Kosovës në KiE, ku njëri prej tyre ishte edhe Asociacioni.
Kastrati në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti për një grusht votash po i lëndon marrëdhëniet me ShBA dhe BE.
“Loja me dinarin dhe tabelat në veri janë lojë e ndytë e Kurtit me i mbajt gjallë ndjekësit e tij fanatik për zgjedhje, mirepo kështu për grushta votash po lëndohen marrëdhëniet me SHBA me BE e rrjedhimisht interesat e Kosovës”, thotë ai.
Tutje ai thekson se çmimi që pagoi Kosova për ‘aventurat’ e Kurtit me targat dhe dinarin, janë autonomia për serbët, sanksionet nga BE dhe prishja me ShBA-në.
“Pas krejt këtyre traumave që Kurti i shkaktoi publikut me targat, dinarin, tabelat, etj, tani në veri permes zgjedhjeve do të rikthehen prapë nëpër komuna afërsisht strukturat e njëjta politike të konttolluara nga Radojcici , pra do kthehemi në pikën zero. Ndërsa, çmimi që pagoi Kosova per këto aventurat e Kurtit me targat, dinarin, Lulzim Hetemin, etj janë autonomia për serbët, sanksionet nga BE dhe prishja me SHBA-në”, shtoi ai.
Kastrati thotë se Kurti pa KFOR-in dhe ShBA, nuk ka mundësi ta mbajë në kontroll veriun.
“Pra, edhe kjo me dinarin është fushatë elektorale e Kurtit. Kjo eshtë farsë e Kurtit, pjesë e diskursit tij populist mashtrues për zgjedhjet sepse pa KFOR, pa SHBA ai s’ka mundësi ta mbaj kontrollin praktik te veriut. Ndërsa, nga “sovraniteti” ne do mbajmë mend vetëm trenerkat e Lulit dhe kokainën e kolegës së tij”, u shpreh ai.
Ai shtoi se nga kjo qasje arrogante e Kurtit mund të kemi edhe sanksione e izolime tjera, dhe jo vetëm pengesa për Këshillin e Evropës.
“Si gjithmonë, qasja amatoreske në diplomaci pra mos koordinimi paraprak dhe mos-bashkëpunimi me aleatët e çoj huq vendimin për manastirin. Tani kjo qasje amatore e arrogante e Kurtit frikësohem që na sjell para sanksioneve e izolimeve të tjera dhe jo vetëm pengesa për Këshilin e Evropës. Praktikisht tani Kosova ka mbetur pa aleatë. Kur flas për sanksione e izolime të tjera po mendoj në ato që e dëmtojnë Kosovën, sepse sanksionet personale per Kurtin dhe kabinetin e tij vec po shihen. Ata janë totalisht të izoluar nga takimet bilaterale (përveç për çështje të lidhura me dialogun ose organizimet multilaterale) dhe izolimi për ta po ashpërsohet çdo ditë e më shumë”, potencoi ai.
Deputeti shprehet se përmes kryeministrit Kurti po shohim se sa rëndë po dëmtohet interesi i Kosovës.
“Fati i keq është i ne të gjallëve që po jetojmë në epokën e Kurtit sepse përmes Kurtit po shohim se si po dëmtohet rëndë interesi i Kosovës. Realiteti ne fund na thote se Kosova nga brenda po trashëgon një autonomi jashtë rendit të saj kushtetues dhe nga jashtë po humb garantuesit e shtetësisë saj. Pra, në të gjitha drejtimet humbës si pasojë e veprimeve e qasjes prej kauboji te Kurtit”, tha ai.
Kastrati shton se Kosova është duke humbur përkrahjen e saj ndërkombëtare, dhe ekonomia dhe financat e qytetarëve po shkojnë drejt kolapsit.
“Në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe specifikat e nevojat e Kosovës me pas këtë qasje si Kurti ndaj SHBA e BE e me prodhu këso politika unë mendoj ose duhet me qenë me gjendje të paqartë mendore, ose i Rusisē, ose me ego të sëmurë për pushtet apsolut, ose i pitë apo budallë por kursesi njeri racional që punon në interes të Kosovës. Kjo qasje e Kurtit është cmenduri. Kosova po humb totalisht përkrahjen e saj mdërkombëtare, po gërryhet sovraniteti i saj nga brenda dhe ekonomia e financat e qytetarëve po shkojnë drejt kolapsit”, përfundoi Kastrati.