Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka ironizuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se pasi ai i ka shtrirë sovranitetin dhe sigurinë në veri, ndoshta është mirë që të ftohet KFOR-i në Prishtinë pas një vrasjeje dhe disa të plagosurve para pak ditëve në kryeqytet.
Në një video-selfie të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, e cila nis nën tingujt e këngës së artistit Llochi kushtuar ministrit Xhelal Sveçla, Kastrati tha: “Kështu, miq, me ni n’kangë, thu ti ma i rrezikshëm se ky nuk ka, mirëpo në fakt, Xhelali, Xhelal llokumi është shumë tuc, ama tuc shumë i madh.”
“A muni me paramendu se qysh kish reagu ky, nëse kish qëllu rastësisht tu pi kafe atë natë në lagjen Aktash në Prishtinë, kur u bo arenë luftimesh atë natë, kur u gjujtën me alltia, me kallasha, përmbi 100 plumba” – pyeti deputeti opozitar.
Më tej, Kastrati tha se “kryeqyteti u bë arenë luftimesh prej që u bë ky [Sveçla] kryepolic edhe nuk ka kurrfarë reagimi prej tij, domethënë veshët në lesh”
Kastrati më pas ironizoi: “Ndoshta është mirë, masi Xhelali i fortë, e ka shtrinë sovranitetin komplet, sigurinë atje në veri, ndoshta është mirë me thirrë pak KFOR-in, me ardhë me na ndihmu pak edhe këtu, në kryeqytet për çështje të sigurisë.”