Bëhet fjalë për sistemin antivirus të prodhuesit rus, Kaspersky, i cili edhe pse nuk është i ndaluar në Maqedoninë e Veriut, është i ndaluar në SHBA, që është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa Bashkimi Evropian (BE), me të cilin Shkupi hapi negociatat për anëtarësim, rekomandoi ndalimin e shërbimeve të kësaj kompanie ruse.
Kaspersky nuk përdoret as në institucionet e Kosovës, dhe këtë për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, deri në publikimin e këtij teksti, nuk u janë përgjigjur pyetjeve LiLse cilat institucione përdorin sistemin antivirus Kaspersky.
Megjithatë, sipas të dhënave nga Byroja e Prokurimeve Publike të Maqedonisë së Veriut, kompleksi i klinikave shëndetësore shtetërore ishte i fundit që nënshkroi kontratë për blerjen e shërbimeve Kaspersky.
Ky program përdoret edhe nga spitalet tjera, gjykatat dhe komunat e tjera, ndërsa nga viti 2021 u porosit edhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Sistemi antivirus Kaspersky përdoret edhe nga Ministria e Arsimit, sipas kontratës për prokurim publik të lidhur në vitin 2021. Kjo ministri ishte shënjestër e sulmeve kibernetike vitin e kaluar.
Ministria e Financave, sipas Byrosë së Prokurimit Publik, ka lidhur kontratë për shfrytëzimin e antivirusit Kaspersky në gusht të vitit të kaluar, sipas së cilës, softueri antivirus duhet të instalohet në të gjithë serverët e klientëve. Në kontratë thuhet se që në këtë moment softueri antivirus (Kaspersky Endpoint Security for Business) është i instaluar në infrastrukturën e Ministrisë dhe mbajtësi i prokurimit duhet të çinstalojë softuerin aktual dhe të instalojë një të ri.
Regjistri qendror në raportin e punës për vitin 2020 thekson se në pjesën e modernizimit të infrastrukturës ekzistuese dhe përmirësimit, ndër të tjera, është zbatuar rinovimi i mbrojtjes së centralizuar antivirus Kaspersky.
Megjithatë, jo të gjitha kontratat janë publikuar në Byronë e Prokurimit Publik dhe në shumicën e atyre që janë publikuar nuk ka specifikime se çfarë sistemi antivirus kanë blerë institucionet, sepse për blerjet nën 5.000 euro nuk janë të detyruara të japin të dhëna të detajuara.
Në Maqedoninë e Veriut, shumica e institucioneve shtetërore angazhojnë kompani të jashtme për t’u kujdesur për faqet e tyre të internetit.
Nuk ka asnjë organ apo institucion në shtet që të jetë përgjegjës për kontrollin e programeve antivirus që përdoren në institucionet shtetërore, ndaj i takon çdo institucioni të vendosë vetë përmes prokurimit publik.
Armata dhe Ministria e Mbrojtjes, duke qenë se bëhet fjalë për vend anëtar të NATO-s, përdorin softuer në përputhje me politikën e aleancës; në përdorim kanë softuerin antivirus amerikan McAfee.
Kaspersky përdoret në mbi 50 institucione në Bosnjë e Hercegovinë
Programi antivirus i prodhuesit rus Kaspersky përdoret në më shumë se 50 institucione të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë Presidencën, Këshillin e Ministrave, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA).
Kjo u konfirmua nga sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.
Deri në fund të vitit 2022, 1.300 licenca antivirus Kaspersky janë blerë nga prodhuesi rus. Më pas janë blerë edhe 200 të tjera, kur Sekretariati ka lidhur kontratë me firmën nga Banja Lluka “Prointer”, me vlerë gati 18 mijë euro.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaloi përdorimin e programeve të tyre antivirus në të gjitha agjencitë shtetërore në vitin 2017 për shkak të akuzave për bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë Ruse (FSB), të cilat kompania i mohoi.
Në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, Bosnja dhe Hercegovina ishin në shënjestër të sulmit kibernetik, kur faqja e internetit e Parlamentit shtetëror u çaktivizua për dy javë. Më pas një bllokim të shkurtër pësuan edhe faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Shërbimi për Çështjet e Përbashkëta dhe disa kompani të tjera.
Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës thotë se për shkak të këtyre sulmeve, kanë blerë licenca shtesë për pajisjet e mbetura dhe i kanë përditësuar sistemet operative dhe antiviruset.
Të pyetur nëse përdorimi i softuerit është në kundërshtim me sanksionet kundër Rusisë, të cilat janë mbështetur edhe nga Bosnjë e Hercegovina, nga Sekretariati thanë se “nuk janë zyrtarisht në dijeni” për një vendim të tillë.
Në të njëjtën kohë, të pyetur nëse Kaspersky mund të përfaqësojë një kërcënim për sigurinë, nga Sekretariati thanë se i gjithë trafiku përmes lidhjeve publike është duke u monitoruar dhe se deri më tani “nuk ka pasur asnjë tregues për aktivitete të tilla”.
Kaspersky përdoret nga disa institucione në Serbi
Sipas të dhënave nga Prokurimet Publike të Serbisë, 14 institucione të këtij shteti kanë blerë shërbimet Kaspersky gjatë dy vjetëve të fundit. Këto institucione financohen nga buxheti shtetëror.
Vlera totale e kontratave të lidhura për prokurimin e sistemeve Kaspersky nga fillimi i vitit 2021 deri në fund të 30 marsit 2023, arrijnë në më shumë se 870.000 euro.