Analisti Afrim Kasolli ka treguar për një ndryshim të madh që ka ndodhur te partitë politike.
Derisa në të kaluarën partitë përpiqeshin të tregonin afërsinë me aleatwt për të fituar përkrahjen e elektoratit, Kasolli ka thënë se tashmë po ndodh e kundërta.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se tashmë partitë po mundohen të dëshmojnë se cila po konfrontohet më shumë me ndërkombëtarët për të fituar ndonjë votë.
“Ndryshimi tashmë po vërehet se ka ndodhur. Nëse në të kaluarën ekzistonte një përpjekje e partive politike për të dëshmuar para elektoratit se cila prej tyre i ka raportet më të mira dhe më të afërta me ndërkombëtarët, veçanërisht me SHBA-në, për të pasur edhe sukses të brendshëm, tashmë gara është zhvendosur në një theks tjetër, ku cila prej tyre dëshmon se konfrontohet më shumë me ta si parakusht për fitim të votave. Se cili do të jetë bilanci i këtij ndryshimi, mbetet të shihet, sidomos në këtë kohë gjithnjë e më të trazuar e të pasigurt”, ka shkruar Kasolli.