Kampioni i Kosovës Ballkani ka bërë një rikthim fantastik për ta mposhtur skuadrën e Andorrës UE Santa Coloma, në ndeshjen e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Edhe pse ishin favorit të padiskutueshëm, skuadrës kosovare iu nevojit shumë punë për të fituar me rezultat 1:2 në fund.
Youssef El Ghazoui kaloi Coloman befasisht në epërsi, duke përfituar nga një top i bukur pas një gabimi të Lindon Emërllahut (25’).
Pas kësaj, Ballkani u këndell duke krijuar disa aksione të bukura por që s’arritën t’i finalizonin.
Ishte mbrojtësi Arbër Potoku që fitoi penallti pasi iu bë një ndërhyrje e rëndë në zonë, nga ku gjyqtari akordoi 11-metërsh, të cilën më pas e konkretizoi për mrekulli Emërllahu (42’).
Pjesa e dytë ishte shumë më e qetë. Dy skuadrat tentuan të krijonin raste por që rezultuan të jenë larg finalizimit.
Ballkani ishte më dominuese në posedim dhe golin e fitores e realizuan krejt në fund. Bernard Karrica me një super goditje pas asistimit të Kryeziut e la të shtangur portierin vendas (89’).
Ndeshja kthyese do të zhvillohet pas një jave në Podujevë, ku Ballkani tani është edhe më afër që ta bëjë historinë dhe të avancojë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.