Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 muaj burgim e 5 mijë euro gjobë, e ka dënuar Florent Poroshticën, njërin nga të akuzuarit kryesorë për krijimin dhe menaxhimin e grupit famëkeq “Albkings” në platformën Telegram, i cili ndryshe njihet si “lideri” i Alb King.
Ky grup, i njohur në cdo cep të botës për aktivitetin e tij kriminal, bënte shpërndarjen e fotografive, videove dhe kontakteve të grave, pamje të ndjeshme e eksplicite të viktimave, pa miratimin e tyre.
Materiale këto shpesh të përcjellura me mesazhe kërcënuese për vet viktimat e familjet e tyre.
Madje, 20 vjecari, Florent Poroshtica, kur merrte mesazhe nga vajzat që të largonte postimet që bëheshin në emrat e tyre, iu kishte kërkuar para në forma të ndryshme, përfshirë pagesa përmes platformës “Paypal” dhe kriptovalutave, të cilat më pas i konvertonte në para fizike në një këmbimore në Gjilan.
Kjo veprimtari i kishte sjellë atij një fitim total prej 2 mijë e 344 euro.
Gazetarja Ardiana Thaçi-Mehmeti, të cilës iu shpërnda numri aty, duke u bërë kështu viktimë e këtij aktiviteti, vendimin e gjykatës e quajti si hap të mbarë, por theksoi se hetimi duhet të zgjerohet për të identifikuar të tjerët që kanë pasur rol në këtë grup kriminal.
Madje, ajo ka thënë se mund të jenë pikërisht personat e tjerë që të vihen para drejtësisë e që do të jenë mbi personin që u dënua sot nga Gjykata.
Në emisionin Kiks Kosova, në vazhdën e publikimit të storjeve lidhur me rastin Alb King, ishin transmetuar edhe intervista ekskluzive me vajza të reja, të cilat pas presionit të burrave të cilët ishin antarë të këtij grupi, kishin lënë shkollën, punën e madje edhe kishin kaluar kohë shumë të vështirë e depresive.
Thaçi-Mehmeti, që është edhe autore e këtij emisioni, ka thënë se ajo që është gjykuar sot është vetëm një pjesë e problemit të cilën e kanë kaluar shumë gra.
Thaçi-Mehmeti gjithashtu u shpreh e shqetësuar për arratisjen e Edvin Nevzatit, një nga të akuzuarit kryesorë, i cili ka ikur në Serbi dhe ende nuk është kapur nga autoritetet.
Mbrojtja e Thaci Mehmetit, Kujtim Kërveshi, kërkon që i akuzuari i cili është ende i paqasshëm për drejtësinë, të kapet sa më shpejt.
Ilir Shaqiri, avokati i gjilanasit të dënuar, ka thënë se do të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit. Ai theksoi se, duke marrë parasysh moshën e të akuzuarit dhe faktin që është hera e parë që përballet me sistemin e drejtësisë, nuk do të duhej që të dënohej maksimalisht
Ky fenomen ishte raportuar në fillim të vitit 2024, në emsionin Kiks Kosova, ku si rjedhojë kishte ardhur edhe deri te mbyllja e këtij grupi, e arrestimi i disa prej udhëheqësve të grupit.
Ndonëse institucionet shtetërore nuk lanë gurrë pa lëvizur në mënyrë që t’i mbyllin grupet e ti zënë dhunuesit, duket se do të jetë luftë e vazhdueshme mes shtetit, qytetarëve dhe personave të cilët fshihen prapa petkut të internetit dhe nofkës “mbretërit shqiptar” apo Alb Kings.
Për këtë fenomen raportuan edhe mediat ndërkombëtare.