-1.8 C
New York
Monday, February 23, 2026

Buy now

Kapitull i Ri apo vetëm retorikë e re?

- Advertisement -

 

Kapitull i Ri apo vetëm retorikë e re? Nga “Hajvana” te “Bashkëpunimi me opozitën” dhe “Pluralizmi demokratik”

Nga ofendimi te ftesa për dialog me opozitën, a është kjo një kthesë e Kurtit dhe LVV-së apo vetëm një taktikë e re politike me i arritë qëllimet e vjtra? Dje u përdorën fjalë të buta, por dëshira për pushtet absolut ende mbetet e fortë.

Sidoqoftë, shumë mirë me i pa këto takime mes kryetarëve të partive. Dje u takuan Hamza me Kurtin, e sot edhe kryetari i LDK-së po takohet me kryetarin e LVV-së.

Në deklaratën e djeshme të qeverisë u përdor terminologjia e fortë për hapjen e “një kapitulli të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë”. U theksua gjithashtu edhe “pluralizmi demokratik”.

Në parim, kjo duket si një kthesë e madhe kur e krahason me shkurtin e vitit të kaluar dhe momentin e famshëm “Hajvana”. Nga “hajvana” deri te “kapitulli i ri bashkëpunimi” e “pluralizmi demokratik”, duket si një kthesë 180-shkallëshe.

Por ne nuk duhet me u hutu, e as me i marrë për të mirëqena fjalët e politikanëve.

Kurti dhe LVV kanë bërë shumë “gjynahe” madje krime demokratike në vitet e fundit, përfshi polarizimin ekstrem të shoqërisë dhe të skenës politike. Kanë abuzuar me resurset shtetërore për me arritë qëllime elektorale, për me fitu vota dhe për me tjetërsu vullnetin e qytetarëve rezidentë të Kosovës.

Mbi të gjitha, kanë tentuar me pas kontroll absolut mbi institucionet që duhet sipas ligjit me qenë të pavarura.

Këto rreziqe ende ekzistojnë sot.

Pluralizmi demokratik nuk arrihet kur në një shtet një parti kontrollon të gjitha pozitat e larta.

Prandaj, te çështja e presidentit, që aktualisht është temë kryesore, LVV duhet me dëshmu në praktikë që vërtet dëshiron pluralizëm dhe bashkëpunim konstruktiv me opozitën, duke gjetur një figurë që nuk kontrollohet dhe nuk është pjesë organike e LVV-së.

Po ashtu, kur flitet për “kapitull të ri” dhe bashkëpunim, si mundet që LVV të mos i pranojë asnjë propozim të partive opozitare për Buxhetin e vitit 2026?

LVV dhe Kurti kanë shumë për të bërë nëse duan me demonstruar vullnet real për bashkëpunim dhe për me kriju një klimë të re politike, përfshi respektimin real të pluralizmit, jo vetëm retorik.

Pluralizmi nuk dëshmohet me deklarata. Dëshmohet me vendime.

Dhe mbi të gjitha, dëshmohet me një historik veprimesh konkrete që tregojnë nëse vërtet kanë mësuar diçka nga gabimet e së kaluarës.

Hapi i parë konkret duhet të dëshmohet me zgjedhjen e presidentit. Pastaj ligjet dhe vendimet nuk duhet të merren vetëm nga një parti, se nuk jemi parti-shtet.

E mos të harrojmë që këto “ndryshime tektonike” nuk po duket se po vijnë nga reflektimi i brendshëm, por më shumë nga presioni i realitetit politik dhe frika nga ajo që po afrohet.

Tentimi për ndryshim të diskursit mund të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e pritshme në dialogun Kosovë-Serbi, ku LVV do të ketë nevojë reale për konsensus të gjerë politik për me i kalu vendimet e vështira që mund të pasojnë.

Të ngjashme

Të fundit