Amir Rrahmani pritet t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës në grumbullimin e tetorit, i cili do të nisë nga e hëna e ardhshme.
Mirëpo, futbollisti kosovar nuk do të mundë t’i ndihmojë “Dardanët” në dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024, kundër Andorrës të enjten që vjen dhe ndaj Izraelit të dielën e ardhshme, shkruan Express.
Kjo për shkak qe kapiteni i Kosovës është lënduar pak javë më parë dhe nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë kampionin italian me paraqitjet e tij në fushën e blertë.
E mediat italiane zbulojnë se Rrahmani do ta pranojë ftesën e trajnerit Primoz Gliha, por që do të shkojë në Kosovë vetëm për ta vazhduar fazën rehabilituese, pa rrezikuar të paraqitet në ndeshjet e tetorit.
Rrahmani është i lidhur ngushtë me vendin e tij dhe do ta shfrytëzojë pauzën e ligave për shkak të angazhimeve të lojtarëve me Kombëtaret, për të qenë më afër familjes dhe për të ushtruar në atdheun e tij, shkruan mediumi italian, “Il Mattino”.
Ndërkohë, stafi mjekësor i Napolit dëshiron që lojtari të vazhdojë të ushtrojë në qendrën Castel Volturno pasi Rrahmani ishte lënduar fillimisht pikërisht sa ishte i angazhuar me Kombëtaren, në duel me Rumaninë.
Rrahmani nuk do të mundë ta ndihmojë Napolin as këtë fundjavë në përballje me Fiorentinën.