Një kamion me targa të Serbisë në këto rrugë po bartte hiç më pak se katër tonë sasi të mishit.
Ky kamion kishte ardhur nga rrugët e Komunës së Leposaviqit por udhëtimi nuk i ishte ndalur në gjysmë pasi kamioni përfundoi në përrua.
I dyshuari i cili po voziste kamionin ishte larguar nga vendi i ngjarjes në momentin kur kamioni ka rënë në përrua.
Me të dal në terren Policia e kishte konstatuar se ai mall ishte i kontrabanduar.
“Raportohet se një kamion me targa te shtetit serb me drejtues NN ka devijuar rrugën dhe ka hyrë në një përrua. Në kamion kishte të ngarkuara rreth 4 tonë mish të bardhë, kurse personi i dyshimtë është larguar në drejtim të pa njohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti cilësohet si me lart. Njësitet policore relevante ne bashkëpunim me Doganën e Kosovës, janë duke u marr me rastin”, kanë thënë nga Policia.
Pos Policisë me rastin po merret edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës të cilët i thanë televizionit se për këtë rast nuk ka të arrestuar dhe malli është sekuestruar.
“Nuk është ndaluar askush. Rasti është cilësuar si kontrabande me mallra dhe i njëjti do të sekuestrohet”.
Televizioni ka marr vesh se malli i kontrabanduar gjendet në këtë hapësirë të Terminalit Doganor të Mitrovicës dhe akoma nuk është zhvendosur në hapësirat tjera të doganës.
Në ndërkohë, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës nuk i është bërë akoma kërkesa për inspektim.