Kaos, Prishtina pa buxhet: Trafiku Urban dhe linjat private të transportit paralajmëron pezullim të punës.
Fakti që Prishtina është pa buxhet, dhe i njëjti nuk po alokohet, ka bërë që kryeqyteti të jetë në bllokadë.
Trafiku Urban ka paralajmëruar pezullimin e punës si pasojë e gjendjes së rëndë financiare.
“N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A. njofton se ofrimi i shërbimit të transportit publik rrezikon të pezullohet plotësisht nga java e ardhshme, për shkak të pamundësisë financiare të shkaktuar nga bllokimi i mjeteve buxhetore. Kjo situatë ka ardhur si rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, çka ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj ndërmarrjes. Si rrjedhojë, “Trafiku Urban” po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar ofrimin e shërbimit për qytetarët”, u tha në komunikatë.
“Pavarësisht bilancit pozitiv dhe performancës së qëndrueshme të ndërmarrjes, vonesat në pagesa që nga muaji korrik kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset e brendshme teknike, duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin e rregullt. “Trafiku Urban” mbetet i përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe apelon për zgjidhje të menjëherëshme të bllokimit financiar, në mënyrë që të shmanget ndërprerja e qarkullimit për rreth 60 mijë qytetarë që përdorin transportin çdo ditë”, u tha më tutje.
Përderisa Trafiku Urban ka paralajmëruar pezullim, disa linja private tashmë kanë marrë këtë vendim.
Fjala është për linjën 3A, e cila ka theksuar se në Prishtinë mund të ketë kolaps.
“Si rezultat i mosshlyerjes së këtyre obligimeve, kompania është afruar në prag të një kolapsi financiar, pasi bart mbi vete detyrime të mëdha ndaj furnizimeve me naftë, mirëmbajtjes teknike, pagave të punëtorëve, kredive, qirasë dhe shumë obligimeve të tjera operacionale”, thuhet në njoftim.
“Lusim Komunën e Prishtinës, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Financave për gjetjen e një zgjidhjeje urgjente në lidhje me buxhetin, sepse ndalja e transportit publik në Kryeqytet do ta paralizojë të gjithë qytetin dhe do të krijojë pasoja të rënda për mijëra qytetarë që varen nga ky shërbim”, u tha më tutje.
Kompanitë private të transportit të autobusëve në Prishtinë, do të protestojnë të hënën, më 24 nëntor, në ora 09:00 para objektit të Komunës së Prishtinës.
Me këtë rast, në shenjë proteste, kompanitë private të autobusëve nuk do të kryejnë shërbime gjatë ditës së hënë dhe nuk do të ketë transport për udhëtarë.
Protestën e kanë konfirmuar Shoqata e Transportit “Uni Trans” që përfshinë linjat private në Prishtinë.
Nga kjo shoqatë kanë bërë me dije që arsyeja e protestës është vonesa e pagesave për kompanitë private të transportit nga ana e Komunës së Prishtinës.
“Arsyeja e protestës lidhet me vonesat e pagesave nga Komuna e Prishtinës. Që gjashtë muaj, nuk kemi pranuar asnjë pagesë nga komuna për shërbimet që kemi ofruar”, kanë deklaruar nga shoqata.
Vonesat e pagesave nga ana e komunës nuk kanë dëmtuar vetëm kompanitë private. Edhe Ndërmarrja Publike komunale “Trafiku Urban”, po ashtu ka paralajmëruar se ofrimi i shërbimeve të transportit publik mund të pezullohet plotësisht nga java e ardhshme duke marrë parasysh rrethanat financiare dhe si pasojë e bllokimit të mjeteve buxhetore.
Si pasojë e bllokadës së buxhetit, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit.
Jo vetëm ndërmarrjet e transportit, por edhe ndërmarrjet e tjera janë në krizë të thellë, duke rrezikuar që Prishtina të kthehet në kaos. Ngjashëm, sikurse situata me RTK-në, ku askush nuk po alokon mjetet që u takojnë.
Këto duket të jenë vetëm shenjat e para direkte të bllokadës politike, e që për pasojë, pritet të vazhdojnë, pasi zgjedhjet janë caktuar më 28 dhjetor.






