Alarmi i kuq ka rënë. Humbja në Premier League kundër Crystal Palace, nga të cilët u mposhtën edhe Community Shield, sikurse edhe humbja në Ligën e Kampionëve kundër Galatasarayt, kanë shkaktuar një mini-krizë te Liverpooli, duke zbuluar brishtësinë e tyre.
Në fakt, shenjat ishin parë tashmë kundër Newcastlet në ligë, ekip i cili ndonëse mbeti me dhjetë lojtarë për një pjesë të lojës dhe iu afrua barazimit disa herë, por edhe kundër Atletico Madridit në Evropë, duke e fituar ndeshjen vetëm në minutat e fundit falë goditjes me kokë nga Virgil van Dijk.
Një ekip i pabalancuar
Fushata faraonike e transferimeve prej 450 milionë funtesh, e cila solli Isakun, Wirtzin, Ekitiken, Kerkezin, Frimpongun dhe Leonin në Anfield, e ka konfirmuar Liverpoolin si favoritin kryesor për të fituar si Premier League ashtu edhe Ligën e Kampionëve, por në javët e fundit kampionët anglezë janë dukur si një koleksion letrash shkëmbimi.
“Sot, Liverpooli nuk luan futboll, ata luajnë basketboll. Ata shkojnë nga njëri skaj i fushës në tjetrin pa kontroll: një ekip i shkëlqyer nuk mund ta përballojë këtë”, tha Jamie Carragher, ish-mbrojtës i “Reds” dhe tani komentator i CBS Sports.
Szoboszlai lojtar i krahut, problemi me Wirtzin
Slot, njeriu që trashëgoi pozicionin e Kloppit dhe menjëherë fitoi titullin e Premier League, është kritikuar përsëri për vendosjen e Dominik Szoboszlait në pozicionin e mbrojtësit të djathtë për herë të katërt këtë sezon. Hungarezi ishte “figura kyçe” në natën në Stamboll kundër Galatasarayt, duke shkaktuar penalltinë që çoi te humbja e “Reds” me një ndërhyrje ndaj Baris Alper Yilmaz.
Ish-lojtari i Feyenoordit kërkoi falje pas ndeshjes, por çështja e ekuilibrit duhet të adresohet. Kjo përfshin edhe Florian Wirtzin, i cili mbërriti në verë nga Bayer Leverkusen për një tarifë, përfshirë bonuse, midis 135 milionë dhe 150 milionë euro, duke u bërë nënshkrimi i tretë më i shtrenjtë në histori, pas Neymarit (222 milionë euro nga Barcelona te PSG në 2017) dhe Kylian Mbappe (180 milionë euro nga Monaco te PSG në 2018).
Sulmet e Rooneyt dhe Carragherit
Wirtz duket si një peshk jashtë ujit te Liverpoolit. “Ai është jashtë forme, duket se nuk është në vendin e duhur. Është i ri dhe do të ketë kohë të zhvillohet, por për momentin duhet të lihet jashtë: Liverpooli duhet të rizbulojë vetëbesimin dhe të kthehet në unitetin e vitit të kaluar. Tani për tani, ata janë një katastrofë”, tha Carragher, ndërsa komenti i Wayne Rooneyt ishte më i ashpër: “Ai është shumë i talentuar, por s’po gjen pozicionin e duhur. Liverpooli shpenzoi shumë para për të, por me të në fushë, ata kanë humbur ekuilibrin. Ai sapo ka ardhur, duhet ta kuptojë Premier Leaguen, i duhet kohë, por tani për tani po përpiqem të shoh se ku përshtatet. A është ai një mesfushor i tretë? Jo për mua, ai është më shumë një lojtar sulmues. Pra, nëse duhet të zgjedh midis tij dhe Szoboszlait, atëherë do të zgjedh Szoboszlain”. /