Dhomat e Specializuara të Hagës kanë reaguar pas dy letrave që kanë dërguar ish-krerët e UÇK-së. E para ishte letër refuzuese për takim me Avokatin e Popullit të Speciales, dhe e dyta ankesë për kufizimet ekstreme në takimet me avokatë.
Në një përgjigje për Nacionalen, Gjykata Speciale ka mohuar akuzat për trajtim çnjerëzor. Ata kanë theksuar se kushtet në Qendrën e Paraburgimit janë sipas standardeve, duke përmendur edhe qasjen që kanë të akuzuarit në ajër të pastër!
“Të paraburgosurit në Hagë kanë qasje të përditshme në ajër të pastër dhe ushtrime fizike, mundësinë për të luajtur sporte të tilla si tenisi, pingpong, futboll dhe basketboll, dhe për t’u marrë me kopshtari. Ata kanë qasje në një dhomë arti ku mund të angazhohen në aktivitete krijuese si piktura dhe një dhomë muzike me instrumente. Ata kanë mundësinë të gatuajnë dhe të ndajnë vakte së bashku dhe të shoqërohen. Të paraburgosurit mund të marrin pjesë në shërbime fetare. Ata kanë qasje në materiale shkrimi. Ata gjithashtu kanë qasje në programe radiofonike dhe televizive në shqip, si dhe në libra, revista dhe gazeta të përditshme”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Pa komentuar refuzimin për takim me Avokatin e Popullit, Specialja ka thënë se të akuzuarit mund të ankohen edhe ndaj këtij institucioni, deri te gjyqtarët. Por sipas tyre, deri më tash nuk ka pasur ankesa te Avokati i Popullit.
“Të paraburgosurit mund të ankohen në çdo kohë tek Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ose Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Ata gjithashtu mund të ankohen tek zyrtari kryesor i paraburgimit. Një procedurë ankimi u lejon atyre të paraqesin ankesën e tyre te Regjistruesi dhe, si mjet i fundit, para gjyqtarëve. Për çdo ankesë zyrtare të paraqitur te Avokati i Popullit, lëshohet një raport dhe publikohet në faqen e internetit. Nëse kontrolloni faqen e internetit, do të shihni se asnjë prej të paraburgosurve nuk është bërë asnjë ankesë zyrtare në lidhje me kushtet brenda qendrës së paraburgimit te Avokati i Popullit”, thuhet më tutje.
Gjykata Speciale ka mohuar akuzat se ka kufizime ekstreme në takimet me avokatë, pavarësisht se një gjë e tillë thuhet në letrën e Thaçit dhe të tjerëve.
“Në fakt, të paraburgosurit kanë disa mënyra për të komunikuar në mënyrë konfidenciale me Avokatin e tyre Mbrojtës. Ata mund të bëjnë dhe të marrin telefonata me avokatët e tyre në çdo kohë në linja telefonike të privilegjuara dhe të sigurta. Çdo i paraburgosur gjithashtu ka një kompjuter në qelinë e tij i cili siguron komunikim konfidencial dhe të sigurt me ekipin e tyre të Mbrojtjes në çdo kohë. Të paraburgosurit gjithashtu kanë mundësinë të takohen me ekipet e tyre të Mbrojtjes me anë të videokonferencës”, thuhet në përgjigje.
“Kur bëhet fjalë për vizita personale me Avokatin, shumica dërrmuese e kërkesave plotësohen në datën dhe orën e kërkuar. Në rastet e rralla kur orari është i ngjeshur për shkak të nevojës që të dhjetë të paraburgosurit të kenë vizita me familjen, miqtë dhe të njohurit, si dhe me avokatin, ofrohet gjithmonë një kohë alternative, një vendndodhje alternative e përshtatshme ose mjete të tjera komunikimi (siç është një vizitë video)”, përfundon përgjigja.
Dy letrat e krerëve të UÇK-së
Nacionale ka mësuar nga burime të sigurta se krerët e UÇK-së janë ankuar për kufizime ekstreme në komunikimet bazike me avokatë.
Në letrën të cilën Nacionale mëson se e kanë dërguar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, thuhet se këto kufizime, janë shkelje e të drejtave themelore të njeriut.
Ata në letër, siç mëson Nacionale, kanë përmendur raste specifike kur u janë aranzhuar takime të papritura me avokatë, dhe kjo në ambiente krejtësisht të papërshtatshme.
Pjesë e kësaj ankese është edhe fakti i të drejtës për informim.
Thaçi e të tjerët kanë thënë se po u mohohet gjatë gjithë kohës qasja në mediat e Kosovës, për t’u informuar në lidhje me zhvillimet në Kosovë.
Këto shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe të akuzuarve ashtu siç edhe e kanë nënvizuar Thaçi dhe të tjerët, po ndodhin në kohën më kritike të mundshme kur mbrojtja po përgatit çështjen e vet që do ta prezantojë në gjykatë.
Letra në fjalë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri tash ka mbetur pa përgjigje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Të paraburgosur në Hagë, atyre u janë ndaluar shumica e vizitave në emër “të administrimit të drejtësisë”.
Nacionale dje raportoi ekskluzivisht se ish-krerët e UÇK-së e kanë refuzuar edhe takimin me Avokatin e Popullit.
Sipas burimeve të mirinformuara të Nacionales, katërshja udhëheqëse e UÇK-së, në lidhje me refuzimi e vizitës nga ky institucion brenda gjykatës, i ka renditur një për një shkeljet që, sipas tyre, DHSK-ja ka kryer ndaj tyre dhe për të cilat Ombudspersoni ka heshtur.
Krerët e UÇK-së janë ankuar për “trajtime çnjerëzore” nga Njësisa Paraburgimit, si dhe për një sërë shkeljesh të tjera të rëbda që, sipas tyre, janë injoruar nga Avokati i Popullit, ndonëse ai është mandatuar pikërisht për të adresuar raste të tilla.
Madje, i kanë bërë të ditur se me këtë qasje të heshtur, ai ka cenuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Përveç të tjerash, sipas burimeve të Nacionales, krerët e UÇK-së kanë bërë të ditur se shkeljet në fjalë i kanë adresuar edhe Avokatit të Popullit në Kosovë.
Në rrethana të tilla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë shprehur se nuk gjejnë asnjë arsye për të pranuar një vizitë nga Ombudspersoni i Gjykatës Speciale.
Sipas tyre, Avokati i Popullit pranë Dhomave të Specializuara ka qenë i pasinqertë kur në prill të këtij viti, gjatë një interviste për T7, minimizoi ankesat e të paraburgosurve, duke i reduktuar ato në “ankesa për ushqim dhe rregullat e burgut”.
Një deklaratë e tillë, siç i kanë thënë burimet Nacionales, nuk paraqet në asnjë mënyrë gjendjen e vërtetë të krerëve të UÇK-së në paraburgim.
Në anën tjetër, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka kritikuar ashpër trajtimin që u është bërë të akuzuarve nga ana e Gjykatës, Prokurorisë dhe Qendrës së Paraburgimit.
Madje, gjatë një takimi me kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ai ka theksuar se Ombudspersoni i Speciales nuk mund të konsiderohet i pavarur për sa kohë që është njeri nga anëtarët e Dhomave të Specializuara.